Shefi i Emergjencave në Elbasan udhëzon banorët të shkelin ligjin

12/12/2016 00:00

Një zyrtar i Prefekturës së Elbasanit ka udhëzuar dhjetëra banorë të fshatit Bixellë që të shkelin ligjin, në mënyrë që të përfitonin dëmshpërblimin.

Ata janë në qiell të hapur prej më shumë se tre vitesh, ndërkohë që institucionet shtetërore i sorollasin për t’i zhvendosur, apo për t’u dhënë dëmshpërblim. Megjithatë, “zgjidhjen” ua ka gjetur shefi i Emergjencave në Prefekturën e Elbasanit, Mustafa Arapi. Në datën 1 dhjetor të këtij viti, ai ka thirrur në një takim banorët e kësaj zone, të prekur nga erozioni i tokës në vitin 2013, duke dëmtuar të paktën 32 banesa, të cilat janë bërë të pabanueshme. Arapi u ka thënë banorëve se ka folur me Prefektin dha ka marrë prej tij udhëzimin që t’i ndihmojnë këta banorë. Banorët duhet të bënin një kontratë fiktive sikur kishin blerë një apartament dhe më pas të përfitonin edhe vlerën e akorduar nga shteti. Ai u ka thënë se probabiliteti që të fitojnë është 50 me 50, megjithëse banorët janë në mëshirë fatit.

Por, edhe pse janë në këto kushte, deri sot nuk është marrë asnjë masë. Njësia Administrative ia kalon “topin” Bashkisë, Bashkia ia kalon Këshillit të Qarkut, ky i fundit Prefekturës, Prefektura Bashkisë, e kështu me radhë, deri sa në “lojë” futet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile. Janë bërë pafund dokumente, akte vlerësimi, studime fizibiliteti, por kur vjen fjala tek investimet, apo dëmshpërblimet, të gjitha tërhiqen.

“Jetojmë në çadra, sytë i kemi nga Zoti”

Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt fshatit Bixelle. Ata treguan problemin si dhe shtëpitë e shkatërruara. “Jetojmë në mes të katër rrugëve. Situata është kështu prej vitesh. Unë jam jetim, jetoj i vetëm. Shteti më ka dhënë vetëm një çadër” thotë Ali Dervishi. Shtëpia ishte e shkatërruar, me tavane të rëna, me mure të plasaritura e dysheme të çarë. Aliu jetonte në një çadër, ndërsa thotë se në këtë vend do të kalojë edhe dimrin.

Ndërkohë, një tjetër familje thotë se iu është shembur gjysma e shtëpisë, kanë marrë një çadër nga shteti po nuk kanë vend ku ta hapin. Jetojnë ende në shtëpinë e rrënuar. “E kanë vlerësuar shtëpinë si të duan. Na kanë dhënë 16 milionë lekë të vjetra. Çfarë do të bëj unë me këto lekë” thotë kryefamiljari. Gazetarët vizituan edhe disa familje të tjera, ku situata ishte e njëjtë: të gjithë i kishin sytë nga zoti.

Ndërkohë, krahas të rriturve, në të njëjta banesa jetonin edhe fëmijët. Një familje kishte tre fëmijë, më e madhja 11-vjeçe. “Mirë për vete, po fëmijët ku do të jetojnë? E mbaj sobën e drurit ndezur 24 orë, jemi veti i 6 në banesë. Jemi në kushte të mjerueshme. Nuk na kanë dhënë asnjë ndihmë, qoftë edhe një çadër. Janë ndarë si të donin këta”, thotë kryefamiljari.

Për këtë problem, Fiksi intervistoi edhe kryeplakun e Bixellëse, Ymer Hidrin. Ai thotë se ka trokitur në të gjitha dyert, por deri më tani asnjë reagim. “Jetojnë në mëshirë të zotit” thotë ai. Gazetarët shkuan edhe në Njësinë Administrative Funar. Kryetari Fisnik Bozha thotë se e di problemin, por për informacione më të hollësishme duhet pyetur në Bashkinë e Elbasanit. Megjithatë, ai saktëson se “s’mund të jetohet në çadra”.

Shefi i Emergjencave: Probabiliteti i fitimit është 50 me 50

Në datën 1 dhjetor të këtij viti, Prefektura e Elbasanit thirri në një takim banorët e fshatit Bixelle. Ata takuan Mustafa Arapin, shefin e Emergjencave. Fiks Fare siguroi një regjistrim të bisedës.

“Dëshira jonë, e këtij seksioni, e Prefektit, është që t’ju ndihmojë ju. Ne na është dhënë një klauzolë nga Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave që ju të gjeni një kontratë shit-blerje shtëpie. Meqenëse në ligjin, që e kanë me VKM, duhet që ju të përfitoni, duhet që të nxirrni leje ndërtimi. Mirëpo që të nxirrni leje ndërtimi, ka kosto, ka të gjitha dhe është e paarritshme që të bëhet. Mirëpo edhe kjo kontrata që ne biseduam, që qe Sula, këta çunat, nuk e bën dot noteri se duhen derdhur lekët. Bëhet një kontratë porosie, më kuptoni. Tani unë bisedova me një drejtor atje në Drejtorinë e Përgjithshme, ma quajti jo të rregullt, kurse Prefekti ka folur me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave dhe e quajti të rregullt dhe më tha ta bëjmë. Më la porosi ta bëjmë. Tani probabiliteti është 50 me 50. Mirëpo që ta bëni këtë kontratë duhet të harxhoni një sasi lekësh. Është e vetmja mundësi që të merrni lekët ose më pas është ajo koha tjetër kur të ndryshojë ligji që të merrni lekët”, u thotë Arapi banorëve, duke i mësuar banorët edhe për skemën.

“Ti ke një njeriun tënd, bën një akt pronësie sikur do të shitet. Kjo është… Po ju flas hapur, garanci nuk ka. Tani, ai probabiliteti, ju thash, është 50 me 50. Tani, në qoftë se e bëjmë, se Prefekti na e quajti të rregullt, dha tha bëhet. Unë kam hallin e këtij shpenzimi që mund të bëhet, ky 50 mijë lekë, 60 mijë lekë, që mund të bëhet para një noteri, kam hallin që mos… Fituam, fituam. Kur fiton i harron. Po nuk fituam, sss…”, vijon Arapi, ndërsa u thotë banorëve se “nuk do e bësh sikur do i blesh shtëpinë. Prefekti është shumë i predispozuar që t’ju ndihmojë, po sa do ia arrihet qëllimit… Përderisa e ka marrë në dorë një fuqi madhore…”.

Ndërkohë, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Prefekturën e Elbasanit, për ta pyetur personalisht z.Arapi për këtë bisedë. Ai e pranon se ai propozim është i jashtëligjshëm, ndërsa thotë se ka ndërhyrë vetë Prefekti, si dhe një deputet. Është në dijeni të problemit, por përmend edhe njëherë lejen e ndërtimit apo truallin.

Për Fiksin foli edhe Luan Shkëlqimi, drejtor i Emergjencave në Bashkinë e Elbasanit. Ai tha se nuk mund të jetohet në ato kushte dhe se nga zyra që ai drejton janë dhënë të gjitha ndihmat. Më pas shton se janë bërë përpjekje të vazhdueshme për të zgjidhur problemin, por deri më tani asnjë masë.

Bashkia: Sigurojmë truallin dhe lejen. Emergjencat: S’kemi dokumente nga bashkia

Fiks Fare pyeti edhe në Bashkinë e Elbasanit për banorët e fshatit Bixelle. Besim Dybeli, përgjegjës i marrëdhënieve me mediat, thotë se kryetari Qazim Sejdini u ka premtuar banorëve se u siguron truallin, lejen e ndërtimit dhe inxhinierët që do të projektojnë banesat e reja. Megjithatë, thotë se për këtë vit bashkia nuk ka fond. Ai tha se është e vështirë të jetohet në ato kushte, por ligji ia kalon kompetencat për të tilla fatkeqësi Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile. Megjithatë, z.Dybeli tha se, nëse sigurohen lekët, bashkia do të veprojë në një kohë rekord për nxjerrjen e lejes së ndërtimit dhe të truallit.

Pas “akuzave” të Bashkisë së Elbasanit, Fiks Fare kontaktoi me z.Shemsi Premçi, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile. Premçi tha se, në bazë të ligjit, Drejtoria e Emergjencave merret me akomodimin e banorëve nën nevojë gjatë tre ditëve nga emergjenca. Ai tha se kur ka marrë detyrën, në muajin tetor 2013, ngjarja e Bixellesë ishte një nga më imediatet. “Pushteti vendor duhet të marrë masat” thotë Premçi, ndërsa shton se dokumentet e përpiluara nga Bashkia e Elbasanit kanë qenë me probleme, nuk kanë pasur studime nëse duhet të ndërtohet në atë zonë. Me shpenzimet e Emergjencave është bërë ky studim, ku është vendosur që në atë fshat të mos jetohet, pavarësisht se dhjetëra familje janë në rrezik prej kohësh.

Fiksi e pyeti z.Premçi edhe për “premtimin” e Bashkisë së Elbasanit, për sigurimin e truallit, lejes së ndërtimit dhe të shpenzimeve të tjera. Ai tha se në Drejtorinë e Emergjencave Civile nuk ka ardhur asnjë dokument i tillë. Gazetarët e pyesin se, nëse Bashkia e Elbasanit, merr një vendim për sigurimin e truallit dhe lejes, Premçi tha se me të mbërritur një dokument i tillë, dosjet do ia dërgojë Ministrisë së Financave për lëvrimin e buxhetit nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Top Channel