SHBA: Mirëpresim përgjigjen e Venecias. Gjykata të mos vonojë

12/12/2016 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka mirëpritur opinionin e datës 10 dhjetor të Komisionit të Venecias mbi ligjin shqiptar të Vetting-ut.

“Vetting-u i gjykatësve do të jetë një hap kuptimplotë drejt eliminimit të korrupsionit të thellë në gjyqësorin në Shqipëri dhe opinioni i Komisionit të Venecias duhet t’i japë fund çdo shqetësimi legjitim lidhur me ligjin”, thuhet në një deklaratë.

Ambasada amerikane shprehet se, pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin e Vetting-ut, “që ka pasoja me ndikim të gjerë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”.

“Shtetet e Bashkuara kanë besim se Gjykata Kushtetuese do të riparojë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor, që është dëmtuar nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar”, thuhet më tej në deklaratën e ambasadës së SHBA.

Top Channel