“Përgjimet”, Tahiri në komisionin hetimor: Drejtojuni prokurorisë

12/12/2016 00:00

Është mbledhur këtë të hënë komisioni hetimor parlamentar për çështjen e përgjimeve të supozuara përmes pajisjes “IMSI Catcher”.

Gjatë seancës pyetje-përgjigje mes kryetarit Flamur Noka dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ky i fundit i ka sugjeruar komisionit që t’i drejtohet prokurorisë për kërkesat e saj, duke qenë se ka një hetim në zhvillim.

Noka: Zoti ministër, jeni në dijeni të futjes në territorin shqiptar të një pajisjeje përgjuese tip “IMSI Cathcher”?

Tahiri: Unë jam në dijeni për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës time. Për çdo çështje tjetër ju sugjeroj t’i referoheni standardeve përkatëse. Për çështjen në fjalë ka një hetim nga prokuroria, ju këshilloj t’i drejtoheni asaj.

Noka: Keni thënë në një emision televiziv se kjo pajisje është përdorur për të përgjuar numra telefonikë, i qëndroni kësaj deklarate?

Tahiri: Mund t’i referoheni emisionit dhe të dëgjoni deklaratën time.

Noka: Keni thënë në një emision televiziv se pajisja është përdorur vetëm nga specialistët italianë dhe asnjëherë nga policia shqiptare. A i qëndroni kësaj?

Tahiri: Mund t’i referoheni deklaratës që kam bërë publikisht.

Noka: Në burgun 302, në regjistrin e protokollit është e shënuar që me urdhër të drejtorit të futet në oborrin e burgut automjeti me targë “AA 380 BD” me drejtues Ention Xhelilin, një nga dëshmitarët e thirrur për këtë çështje, për të monitoruar në oborrin e burgut. A keni dijeni për këtë gjë?

Tahiri: Mund t’i referoheni hetimeve të prokurorisë.

Noka: A është Ention Xhelili anëtar i policisë?

Tahiri: Referojuni borderosë.

“Dhe përgjigjia ime për çdo pyetje në vazhdim është drejtojuni prokurorisë”, ka thënë më tej Tahiri, duke u larguar nga mbledhja.

Pas pyetjeve dhe përgjigjeve, debati në komision ka vijuar me deputetin e PS, Pjerin Ndreu që i ka dalë në mbrojtje ministrit, duke thënë se nuk ka përse të përgjigjet, ndërsa opozita e ka akuzuar Tahirin se me përgjigjet e tij të kufizuara po pengon punimet e këtij komisioni.

“Braktisja e mbledhjes nga ministri i Brendshëm tregon edhe njëherë arrogancën e pushtetit. Ne do vazhdojmë punën, pavarësisht frikës dhe panikut që kanë kapur ministrin dhe drejtorin e Policisë së Shtetit seancën e kaluar”, ka thënë kryetari i komisionit, Flamur Noka.

Radhën për të dëshmuar në komision e ka patur më pas drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm me atë të ministrit Tahiri.

Noka: A keni dijeni për futjen e pajisjes “IMSI Catcher” në Shqipëri, datën e hyrjes së saj dhe mënyrën e hyrjes?

Çako: Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedim penal për këtë çështje. Për të gjitha pyetjet ose sqarimet në lidhje me këtë çështje, bazuar tek nenet e Kushtetutës dhe Kodit Penal…

Noka: Nuk ka nevojë të na tregoni nenet e kushtetutës, keni apo jo dijeni?

Çako: Unë nuk e kam tagrin të deklaroj. Më lejoni ta çoj në fund përgjigjen time, sepse ju nuk mund të ma impononi.

Noka: Ky komision nuk ka lidhje me padi penale, që ju të na tregoni nenet kushtetuese dhe të Kodit Penal, por me një hetim dhe për fakte që ju mund të keni dijeni.

Çako: Në lidhje me pyetjen tuaj ka një procedim penal. Në bazë të ligjeve të shtetit, nxjerrja e çdo fakti për këtë çështje përbën shkelje të ligjit dhe unë nuk mund të flas për të.

Noka: Çfarë ka sekuestruar prokuroria në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, keni apo jo dijeni?

Çako: Përgjigjen duhet ta japë prokuroria, jo unë. Gjithçka është në inventarine bërë.

Kryetari Noka ka vijuar me pyetjet, duke i kërkuar kreut të policisë që të sqarojë se për çfarë u akuzua nga prokuroria kur ishte në proces, por Çako nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij.

“Është e drejta juaj të mendoni si të doni ju, ligji e shpreh në mënyrë eksplicite: ndalohet publikimi i fakteve dhe akteve proceduriale deri në përfundim të hetimit”, ka thënë Çako.

Nga ana e tij, kryetari Noka ka deklaruar se, ministri dhe drejtori kanë zgjedhur të përgjigjen me kodin e heshtjes, që është tipike e mafies. “Ndjej dhimbje që ministri i Brendshëm dhe drejtori i policisë, për të zbardhur hijet e një skandali që ka cënuar sigurinë kombëtare, i referohen vetëm kodit të heshtjes”, ka thënë Noka.

Top Channel