Bashkia e Tiranës ka çelur tregun e shpendëve të gjallë në Baldushk, teksa kanë nisur dhe shpenzimet për festat e fundvitit. Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi dhe drejtoersha e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Rudina Hoxha kanë inspektuar kushtet dhe higjienën e tregut.
Ata garantuan qytetarët për sigurinë ushqimore në tregun e gjësë së gjallë. “Duke filluar nga sot, hapim sërish tregun e shpendëve të gjalla në Njësinë Administrative të Baldushkut. Bashkia e Tiranës është e vendosur që edhe këtë vit të krijojë kushtet e nevojshme të tregtimit të shpendëve për qytetarët. Është e papranueshme që simboli i tavolinave të qytetarëve të Tiranës për festat e fundvitit, të shitet pranë koshave të mbeturinave, në çdo cep pallati dhe në mënyrë të pakontrolluar”, tha Seferi.
Seferi tha se të gjitha strukturat e bashkisë kanë ngritur grupet e punës për të mundësuar shitjen e kontrolluar të këtyre produkteve.
“Jemi shumë të vendosur që edhe ky treg, jo vetëm të promovohet, por të mbulohet nga të gjitha strukturat e Bashkisë Tiranë. Tregu i Baldushkut tashmë, njihet prej shumë e shumë vitesh si zona më me traditë në rritjen e gjelit të detit dhe pikërisht për këtë arsye, ky treg është vendosur në këtë zonë. Por, nga ana tjetër, bëhet jo vetëm promovimi i gjelave të detit, që tashmë është një “patentë” që e ka zona e Baldushkut, por bëhet edhe një kontroll i të gjitha shpendëve që do të shiten në këtë treg”, tha Seferi.
Drejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudina Hoxha, theksoi se nisur dhe nga suksesi i vitit të kaluar, edhe këtë vit, përmes këtij tregu të posaçëm qytetarët do të kenë mundësi që të blejnë gjelin e detit brenda kushteve dhe standardeve.
Top Channel