Portretizoi Putinin dhe Patriarkun rus në skena erotike, gjykata ruse dënon skulptorin gjerman me 8 vite burg
Në një ditë të ftohtë shtatori, kur bora kishte zbardhur çatitë e shtëpive dhe kishte mbuluar rrugicat, në familjen Pjetri vjen në jetë fëmija i parë. Një vajzë e shëndetshme për të cilën prindërit u lutën që fati i mirë dhe bekimet ta shoqëronin gjithë jetën. Pas saj lindin edhe 6 motrat dhe vëllezërit e saj të cilët gjithashtu lindin të shëndetshëm dhe sjellin pafund lumturi në zemrat dhe shtëpinë e këtyre dy prindërve.
Mire Pjetri ishte një vajzë e qetë, e dashur dhe shume e zgjuar, me ëndrrën që një ditë të bëhej doktoreshë. Ajo u rrit në një familje me 9 pjesëtarë dhe çdo ditë kalonte pothuajse njësoj, me zhurmë por edhe lumturi dhe hare.
Në ditëlindjen e saj të 15-të qyteti i Pukës ishte i mbuluar nga dëbora dhe Mire me vëllezërit dhe motrat e saj qëndronin ulur në dhomën e shtëpisë dhe prisnin që prindërit e tyre të ktheheshin dhe të festonin në mënyrën e tyre të thjeshtë ditën e saj të lindjes. Por momenti i tyre i pritjes do të zgjaste më shumë se zakonisht deri sa dikush vjen për t’i dhënë lajmin tronditës.
Prindërit e tyre i kishte zënë një ortek bore dhe për fat të keq kishin humbur jetën. Vëllezërit dhe motrat e Mires ishin shumë të vegjël, filluan të qanin dhe të thërrisnin emrat e prindërve të tyre, por ata nuk do të ktheheshin më kurrë.
Por tronditjet e tyre nuk do të përfundonin këtu. Duke qenë se nuk kishte mbetur askush që të kujdesej për ta i ndanë nga njëri tjetri.
Mire ishte më e madhja dhe siç ndodhte në atë kohë, ajo duhet të rrinte në shtëpi dhe të kujdesej për gjyshërit e saj, ndërsa katër motrat dhe dy vëllezërit u dërguan në jetimoren e Shkodrës. Kushtet në të cilat jetonin ishin shumë të këqija, nuk kishin mjaftueshëm ushqim dhe çdo ditë kalonte gjithnjë e me më shumë dhimbje. Mire shkonte në jetimore sa herë që mundej për të parë se si ishin vëllezërit dhe motrat.
Për të ishte një dhimbje shumë e madhe t’i shihte ashtu vetëm dhe pa asnjë njeri. Dy nga motrat e saj vazhduan gjimnazin në qytetin e Shkodrës dhe qëndronin në konvikt. Ndërsa 4 fëmijët e tjerë qëndruan në jetimore për disa vite. Një ditë një çift nga Amerika kishte shkuar për të adoptuar një fëmijë në jetimoren e Shkodrës dhe aty kërkuan të adoptonin vëllain e vogël të Mires, i cili ishte vetëm 6-vjeç.
Por ai nuk donte të shkëputej nga vëllai tjetër dhe dy motrat që kishin në jetimore, prandaj ky çift detyrohet t’i adoptojë të gjithë fëmijët. Të katërt ata largohen për të filluar një jetë të re, tërësisht ndryshe nga ajo që kishin deri tani. Sigurisht që jeta e tyre do të ishte shumë më e mirë, por zemra e Mires u copëtua kur mori vesh që nuk do t’i takonte më kurrë.
Në moshën 17-vjeçare Mire u martua dhe pas një jete të mbushur me kaq shumë dhimbje dhe vuajtje, ajo pati gëzimin e parë në jetë kur lindi fëmijën e saj të parë. Në moshën 20-vjeçare u bë nënë e një djali. Me kalimin e viteve jeta e saj po ndryshonte. Ajo u bë nënë e 7 fëmijëve,5 vajzave dhe 2 djemve, ashtu si prindërit e saj më përpara.
Tani Mire ishte e rritur dhe kishte krijuar familjen e saj. Jeta bashkëshortore për të shkonte mirë pavarësisht se kishte edhe probleme për shkak të gjendjes ekonomike. Duke qenë se jetonin në kushte shumë të këqija ata vendosën të ndërtonin një shtëpi në Tiranë me shpresën se jeta e tyre do të ndryshonte. Dhe kështu vetë bashkëshorti i saj fillon të ndërtojë shtëpinë e tyre të re, në të cilën synonin të jetonin duke hedhur pas krahëve çdo vuajtje, ndarje dhe dhimbje që kishin kaluar deri tani.
Por fati përsëri ndërhyn dhe historia përsëritet. Një muaj para se të transferoheshin në Tiranë bashkëshorti i saj humbet jetën duke e lënë të vetme me 7 fëmijët. Kjo ishte një tjetër tronditje e madhe për Miren. Ata nuk iu gëzuan dot shtëpisë së re që kishin ndërtuar vetë. Kur u zhvendos aty së bashku me fëmijët, Mire nuk kishte as kushtet minimale të jetesës, ajo nuk mund të punonte sepse kishte një fëmijë 2-muajsh për të cilin duhet të kujdesej dhe 6 fëmijë të tjerë të vegjël që kishin nevojë të ushqeheshin dhe të rrinin ngrohtë në atë shtëpi të sapondërtuar.
E vetmja ndihmë për ta ishte djali i saj 12-vjeçar, i cili filloi punë duke qenë shpresa e vetme e kësaj familjeje prej 8 personash. Vitet kalojnë dhe fëmijët e Mires rriten. Pavarësisht se të varfër për nga gjendja ekonomike, ata ishin të pasur në shpirt. Fëmijët e Mires e kuptonin shumë mirë situatën e mamasë së tyre prandaj asnjëherë nuk kërkonin gjë, vajzat e saj nuk kërkonin fustane të bukura dhe djemtë nuk kërkonin lojëra elektronike apo celularë modern.
Ata nuk ankoheshin asnjëherë pavarësisht se sëmundjet ishin të shpeshta për shkak se shtëpia e tyre ishte gjithmonë me lagështirë dhe e ftohtë. Sot fëmijët e Mires janë rritur, disa kanë krijuar familjet e tyre por asnjëherë nuk janë larguar nga njëri tjetri.
Jeta e kësaj nëne nuk ka qenë e lehtë, ajo ka kaluar dhimbje pas dhimbje dhe ato pak gëzime që kishte zgjasnin shumë pak. Por asnjëherë nuk u dorëzua, pavarësisht gjithçkaje nuk i humbi asnjëherë shpresat se ndoshta një ditë një mrekulli do të ndodhte, që do të sillte sadopak gëzim në jetën e saj dhe të fëmijëve.
“Dua të të bëj të lumtur” përveçse i transformoi shtëpinë, i solli edhe dy videomesazhe të dy vëllezërve që jetojnë prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel