Parlamenti grek ka miratuar me shumicën e votave të deputetëve të mazhorancës, projektbuxhetin për vitin 2017, i konsideruar nga kryeministri Tsipras si buxheti i optimizmit, pasi parashikon një rritje ekonomike prej 2.7%.

“Viti 2017 do të jetë një vit historik për daljen e vendit tonë nga kriza dhe ky projektbuxhet është i pari i optimizmit, i rritjes dhe i rimëkëmbjes së ekonomisë greke”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Seanca është përfshirë nga replika të ashpra midis kryeministrit Tsipras dhe udhëheqësit konservator Mitsotakis, i cili ka kërkuar zgjedhje të reja.

“Premtuat se do të anuloni marrëveshjet e ndihmës, por keni nënshkruar dhe po zbatoni paketën e tretë të shpëtimit, një paketë tjetër shtesë, si dhe keni nënshkruar edhe marrëveshjen e katërt”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.

Nga ana e tij, Tsipras është përgjigjur se në zgjedhje do të shkohet në vitin 2019, duke përballuar sfidat që ka përpara. Qeveria “Tsipras” fillon në ditët e ardhshme negociatat e reja me kreditorët për reformat e reja, marrëdhëniet e punësimit, si dhe për objektivin e tepricave primare prej 3.5%, që i kërkohet pas vitit 2018, shifër që asnjë shtet anëtar i BE-së nuk e ka arritur kurrë për disa vite me radhë.

Top Channel