Pyllëzimi i Farkës, Veliaj: Mushkëria e dytë e Tiranës

10/12/2016 00:00

Pyllëzimi i Parkut të Liqenit të Farkës do të nisë shumë shpejt për ta shdërruar në një mushkëri të dytë të kryeqytetit. Kreu i bashkisë Erion Veliaj gjatë mbjelljes së fidanëve të rinj në këtë park tha se ai do të jetë i ngjashëm me atë të Liqenit të Tiranës.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës po vijon punën për ndërtimin e pesë parqeve të tjera, të cilat do t’i ofrojnë qytetarëve më shumë mundësi çlodhjeje. “Prej përmirësimeve që i janë bërë Parkut të Liqenit, është rritur frekuentimi. Ndaj, kjo është arsyeja pse do të vazhdojmë sezonin e mbjelljeve, jo vetëm në Liqenin e Tiranës, por edhe në liqenin e Farkës, të Kasharit dhe Vaqarrit. Kështu, mbajmë atë premtim që kemi bërë një vit më parë që Tirana të ketë 5 parqe kryesore”, theksoi Veliaj.

Veliaj u shpreh se puna e nisur do të vijojë në të gjitha hapësirat e parcelat që janë gjetur bosh ose me pemë të degraduara. “Po mbjellim pemë të reja, po mundohemi që të mos lëmë asnjë hapësirë të parkut pa bimësi sipas ekosistemit që meriton. Në qoftë se vjet e mbyllëm sezonin e mbjelljeve me 15 mijë pemë, këtë vit ambicia është shumë herë më e madhe, jo vetëm për të kapur 15 mijë pemë, por për të rikurepuar edhe parqe të tjera”, nënvizoi ai.

Top Channel