A do të martohesh me mua?

10/12/2016 00:00

Thonë që nga miqësitë e mëdha lindin dashuri të mëdha! Kështu nis, dhe me gjasë do të përfundojë, historia e Geraldit dhe Erildës, e cila u bë pjesë e emicionit “Dua të të bëj të lumtur”.

Ata u takuan për herë të parë në një aktivitet të Kishës Katolike, ku merrnin pjesë të rinj nga e gjithë Shqipëria. Aty zhvilloheshin lojëra të ndryshme, kryesisht kuize, për të nxitur dhe zhvilluar dijen. Geraldi dhe Erilda ishin në dy grupe të ndryshme, pra, rivalë. Gjatë lojërave të para, grupi i Geraldit po humbiste dhe arsyeja ishte kjo: në grupin kundërshtar, një vajzë 16-vjeçare, me sy e buzë të qeshura, gjente çdo përgjigje, si të ish një “Google”.

Geraldit, asokohe 18-vjeçar, merret me mend që nuk i erdhi mirë. Ndaj, bëri ç’bëri, sajoi një episod dhe gjatë lojës së ardhshme u fut në grupin e Erildës, ku më në fund ndjeu shijen e fitores. Mes tyre lindi miqësia. Ata nisën të takoheshin më shpesh, dhe tashmë flisnin përtej kuizeve me kryeqytet e Europës apo datat historike. Kështu, pas një viti, dhanë puthjen e parë. Por ndryshe nga sa pritet, ajo puthje më shumë i ndau se sa i bashkoi. Dhe jo për shkak të tyre, por prej rrethanave që sjell jeta.

Në mes kishte një problem: dy familjet. Ata nuk mund t’ua tregonin prindërve lidhjen, sepse ishin ende të vegjël. Nga ana tjetër donin të takoheshin, por në rrugët e vogla të dy qyteteve nga janë, Berati dhe Gramshi, gjithnjë dilte një i njohur. Një zgjidhje ishte Tirana, por kryeqyteti, që ata prisnin t’i bashkonte, me rrugët e shumta dhe të panjohur, i largoi edhe më tepër.

Geraldi erdhi në Tiranë për të vazhduar studimet e larta në mjekësi, ndërsa Erilda nisi gjimnazin në kolegjin turk. Aty rregullat ishin shumë strikte, çka bënte që ata të shkëmbenin veç vështrime pas kangjellave, duke kaluar muaj të tërë pa u takuar nga afër. Qenë kohë të mbushura me pritje të gjata dhe me një dëshirë të vetme; të jetonin bashkë e të martoheshin.

Në vitin 2005 ata vendosën të ndanin të njëjtën shtëpi në Tiranë, tashmë të rritur dhe të aftë për të marrë vendime: Geraldi 25-vjeç dhe Erilda 23-vjeçe. Pas miratimit të prindërve nisi bashkëjetesa që hera-herës, ka edhe grindje nga ato të përditshmet. Fjala vjen, Geraldit nuk i pëlqen fakti që Erilda ia zhduk këpucët kur pastron shtëpinë, aq sa ai me zor i gjen në mëngjes. Apo kur ajo ble këpucë sa herë që sytë i kapin dyqanin e radhës.

Kurse Erikës, nuk i pëlqen që Geraldi, sa herë që i lanë enët, i mbaron siç thotë ajo pas tre orësh, aq sa ia bën nervin kaçurrel. Grindje të tilla ata i hedhin pas shpine, e pas një viti bashkëjetesë, Geraldi mendoi se kishte ardhur koha të vazhdonin me gjysmën e mbetur të ëndrrës: martesën. Po kur, si? Kjo është arsyeja pse ai na shkruajti këto fjalë:

“Erika duhet të ketë një propozim të veçantë martese; të përlotet nga gëzimi, teksa në sfond të dëgjohet muzika e Alban Skënderajt. Pastaj të martohemi, në një ceremoni përrallore, ku ajo të më hidhet në krahë e të më thotë “Të dua, i çmendur”!

Stafi i emisionit ndihmoi Geraldin për propozimin surprizë për martesë, që e la pa fjalë të vajzën dhe më pas ka organizuar eventin e madh.

Stafi gjithashtu u ka ardhur të rinjve në ndihmë me kostumin e dhëndrit dhe fustanin e nuses e më pas me darkën e madhe ku morën pjesë 150 vetë.

Top Channel