Spanja vazhdon me 7 skuadra në kupat e Europës

09/12/2016 00:00

Faza e grupeve në Champions League dhe Europa League u mbyll dhe tashmë janë bërë edhe bilancet e para.

Ashtu siç ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, në Kontinentin e Vjetër vijon dominimi spanjoll pasi të 7 skuadrat pjesëmarrëse në këtë eveniment u kualifikuan për në raundin me eliminim direkt. Real Madrid, Barcelona, Atletico dhe Sevilla vijojnë rrugëtimin e tyre në Champion League, ndërsa në Europa League kanë prerë biletën për në raundin tjetër, Villarreal, Celta e Bilbao.

Italia humbi rrugës Interin e Sassuolon, por mund të ngushëllohet fare mirë me vendet e para të Juventusit e Napolit në Champions dhe Romës e Fiorentinës në Europa League.

Edhe Premier League pa që të reduktohet numri i skuadrave të saj në këto aktivitete. Pas West Ham, që u eliminua në eliminatore, i tha lamtumirën Europa League edhe Southampton që barazoi me Hapoelin në ndeshjen e fundit në grup. Në Champions League kanë mbetur 3 ekipe, Leicester, Arsenal e Manchester City, ndërsa Tottenham i bashkohet Manchester United në Europa League.

Edhe Franca e Gjermania kanë lënë pas skuadra gjatë fazës së parë të këtij rrugëtimi. Përsa i përket Bundesliga-s, në Champions kanë mbetur 3 skuadra, Bayern Munchen, Leverkusen dhe Dortmund, ndërsa Munchengladbach i bashkohet Schalkes në Europa League ku u eliminua edhe Mainzi.

Ligue 1 përfaqësohet në Champions nga PSG dhe Monaco, ndërsa Lioni do të vazhdojë aventurën evropiane në Europa League së bashku me Saint Etienne, skuadrat e eliminuara janë Nice dhe Lille, me këtë të fundit që e përshëndeti këtë eveniment që në eliminatore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB