Kryeministrja polake: Negociatat duhet të fillojnë

09/12/2016 00:00

Edhe pse renditet në grupin e vendeve skeptike sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian, Polonia mbështet çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Polonia mbështet aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe do të doja të përgëzoja Shqipërinë për reformat që ka zbatuar deri më tani. Besoj se Komisioni Europian i ka vlerësuar ndryshimet që janë bërë nga Qeveria e Shqipërisë dhe vendimi pozitiv që ka marrë është mjaft i kënaqshëm për ne. Po ashtu, shpresoj që Këshilli Europian të përshpejtojë procesin dhe negociatat duhet të fillojnë”, deklaroi kryeministrja polake Beata Szydlo në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Kryeministrja polake vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë veç reformave, për të cilat u shpreh e gatshme të ndajë përvojën e Polonisë nga periudha e paraanëtarësimit.

“Ndamë opinionin rreth progres/raportit dhe domosdoshmërinë që Këshilli të shprehet qartësisht në vijim të këtij procesi duke patur në konsideratë domosdoshmërinë që në kushtet kur Komisioni ka bërë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave, ky rekomandim të mirëpritet nga Këshilli dhe Shqipërisë t’i jepet mundësia që në muajt në vijim të japë provën e fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi duke nisur me Vettingun si kushti i vetëm për t’u rikthyer në Këshill Komisioni një raport të ndërmjetëm që do të çelte negociatat për Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Palët nënshkruan dhe dy marrëveshje, një në fushën e kulturës dhe një tjetër mes AIDA-s dhe Agjencisë së Investimeve të Huaja polake dhe marrëveshja e Dhomave të Tregtisë. 

Top Channel