Gjobat progresive, Tahiri: Shkelësi përsëritës, gjobë më të madhe

09/12/2016 00:00

Në mbledhjen e fundit qeveria vendosi ngritjen e bazës së të dhënave shtetërore të Policisë së Shtetit për menaxhimin elektronik të gjobave. Sistemi i të dhënave për mjetin, shoferin dhe lejen e drejtimit do të shërbejë për aplikimin e gjobave progresive që do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Me gjobën progresive nga 1 janari 2017 qytetari që shkel vazhdimisht rregullat do gjobitet maksimalisht. Ndërkohë qytetari që ka rekorde pozitive pranë Policisë Rrugore dhe që nuk është gjobitur gjatë vitit do gjobitet në minimumin e përcaktuar nga ligji”, tha ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Nisja e aplikimit të gjobave u bë e ditur nga ministri Tahiri në ditën e 70 vjetorit të krijimit të policisë rrugore. Në bazë të historikut të  mjetit dhe të shoferit, rrezikshmërisë së shkeljes dhe përsëritjes, do të aplikohet edhe ndëshkimi.

Në fakt sistemi E-gjoba funksionon prej disa vitesh por nuk është i azhornuar me të gjitha të dhënat. Në ndryshimet e reja të kodit rrugor do të parashikohet edhe gjoba këshilluese me vlerë zero lek.

Top Channel