Gjermania është e interesuar për specialistë nga Ballkani perëndimor.

Vendet e rajonit janë kthyer në një prioritet për Agjensinë Gjermane të Ndërmjetësimit dhe Punësimit (ZAV), ku ofrohen këshillime për vende pune në anglisht dhe gjermanisht, por edhe në rumanisht, shqip apo në gjuhë të tjera.

Punonjësit e saj kanë marrë këtë vit rreth 175 000 telefonata nga persona të interesuar për punësim në Gjermani, të cilave u shtohen edhe 32 200 kërkesa me e-mail dhe 4 000 me mesazhe në “chat”. Nevoja më e madhe është për inxhinierë dhe ekspertë kompjuterash, sqaron për “Deutche Welle”-n drejtori i ZAV-it, Carsten Klein. Kërkohen po kështu edhe infermierë e profesione të tjera mjekësore, ndërsa lipsen ndër të tjera edhe shpërndarës apo shoferë kamionësh.

Në sektorin e IT-së nuk është prioritare gjermanishtja dhe mjafton një nivel i mirë i njohjes së gjuhës angleze. Në fushën e infermierisë dhe të hotelerisë nga ana tjetër, gjermanishtja është e domosdoshme për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me klientët.

ZAV punon intensivisht me partnerë në vende të ndryshme dhe për momentin po punon me vendet e Ballkanit perëndimor. Ndërkohë, dyshtetësia në Gjermani mund të jetë në prag të anulimit. CDU-ja e ka kthyer në temë debati dhe synon heqjen e kësaj të drejte. Socialdemokratët kanë reaguar ashpër, duke thënë se me këtë vendim, partia që i kundërvihet kështu dhe vetë kancelares Angela Merkel e ministrit të Brendshëm, Thomas de Maizière, nxit politikën e partisë së djathtë radikale Alternativa për Gjermaninë.

Top Channel