“CEZ”, Berisha nuk dëshmon, Balla: Të vijë me forcë

09/12/2016 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha do të dëshmojë në komisionin hetimor për CEZ vetëm pasi të largohet si kryetar i komisionit Taulant Balla. Qëndrimi i demokratëve u bë i ditur në mbledhjen e të premtes nga Arben Ristani. Sipas tij, Balla ka konflikt interesi me familjen Berisha, pasi është dënuar me 10 milionë lekë për shpifje. Kërkesa i është dërguar kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

“Gjykata e ka dhënë vendimin, ju jeni dënuar si shpifës me vendim gjyqësor. Në këto kushte, kur ka shkaqet të dukshme njëanshmërie, njeërz që merren me hetime mund ti vazhdojnë ata, dhe në këtë rast ka një shkak të dukshëm njëanshmërie, për shkak të inateve personale që keni me familjarë dhe të afërm të zotit Berisha. Këtu nuk jemi për inatet personale, ato nuk i nxjerrim këtu. Duke qënë se jemi detyruar të zbatojmë ligjin, ju them se keni konflikt interesi. Zoti Berisha do të vijë në këtë seancë menjëherë sapo të largohet koflikti ligjor i interesit. Ne ia kemi dorëzuar kryetarit të Kuvendit, dhe po e depozitoj para jush që të mos gënjeni seancën tjetër kur të vijmë këtu. Ta shmangim këtë pengesë dhe të vazhdojmë shqyrtimin e çështjes”, u shpreh z. Ristani.

Ndërsa kreu i komisionit, Taulant Balla e ka quajtur një lojë të ulët për të shmangur dëshmitarin Sali Berisha.

“Kërkesën tuaj drejtojani Kuvendit. Po ju them që kjo është një lojë e ulët që do të shmangi dëshmitarin Sali Berisha të vijë në këtë komision për të dhënë dëshmi. Ky komision hetimor, thërret dëshmitarë, për fat të keq nuk thërret të pandehur, se nuk është gjykatë. Të gjitha çfarë thoni ju i referohet rasteve të marrëdhënies ndërmjet gjykatës dhe të pandehurve. Është hera e parë që ngrihet një alibi nga ana e një dëshmitari”, u shpreh Balla.

Edhe në seancën e sotme ish kryeministri Sali Berisha i thirrur në cilësinë e dëshmitarit për aferën CEZ nuk është paraqitur në komision, ndërsa Balla kërkon sërish ardhjen e tij me forcë.

Socialistët në Komision kërkuan më tej informacion nga bankat mbi disa transaksione të dyshuara të CEZ për sekserin kosovar, Nuel Kalaj dhe qeveritarëve të kohës.

“Transaksione bankare në Çeki për Nuel Kalaj, Hamza Merxhani, Sali Berisha, edhe familjarët e zotit Berisha. Bëhet fjalë për 15 milionë euro transaksione bankare, për Suzana Guxhollin, Neritan Alibalin, Enno bozdon”, deklaroi kreu i Komisionit, Taulant Balla.

Ndërkohë, pritet një përgjigje nga zyra juridike e Kuvendit se kush do ta drejtojë marrjen në pyetje të Sali Berishës, kryetari Taulant Balla apo nënkryetari Arben Ristani. Seanca e radhës është të hënën e ardhshme .

FOTO GALERI
1/1
Letra e PD derguar kreut te Kuvendit Ilir Meta

Top Channel