Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është hapur me rastin e Ditës së Rinisë, Zyra Rajonale Rinore, një nismë e prezantuar në Samitin e Parisit, në funksion të procesit të Berlinit mes vendeve ballkanike.

I pranishëm në inaugurimin e saj, kryeministri Edi Rama tha se kjo nismë frymëzohet nga bashkëpunimi rinor franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore dhe rolit që luajti ai në procesin e paqtimit dhe bashkëveprimit mes dy vendeve.

“Atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën ne mund ta bëjmë për Ballkanin, rajoni i njohur si “fuçia e barutit” e Europës, ku plasi Lufta e Parë Botërore dhe ku lumenjtë e gjakut kanë përcaktuar marrëdhëniet fqinjësore për shumë vite me radhë”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se sot vendet e Ballkanit gjenden në një kontekst tjetër, pasi ekziston një atmosferë paqeje, pavarësisht nëse nuk dakordësohemi mbi gjithçka mes njëri-tjetrit.

Rama e vlerësoi këtë zyre si një iniciativë mjaft të vyer për të nxitur më tej bashkëpunimin e harmonizuar në funksion të rrugës së përbashket drejt Bashkimit Evropian.

“Kjo zyrë do të shërbejë së pari për kërkime shkencore, së dyti për kulturë dhe sport, së treti për pjesëmarrës dhe aktivistë”, deklaroi ministri Blendi Klosi.

Top Channel