Dom Ernest Simoni, meshë në Basilikatën e Firences

08/12/2016 00:00

Në një nga ditët më të rëndësishme për besimtarët katolikë, ajo e Zonjës së Papërlyer dhe në një nga basilikat më të rëndësishme në Itali pas Vatikanit, ajo e Firences, Kardinali Giuseppe Betori zgjodhi që të mos e drejtonte vetë meshën, por të ftonte Kardinalin shqiptar Ernest Simoni për ta drejtuar atë.

Po pse Kardinal Betori bëri këtë zgjedhje?

“Për ne është shumë e rëndësishme të nderojmë kë ka dëshmuar fenë me kaq shumë sakrifica. Në të njëjtën kohë kemi me prezencën e tij një thirrje për veten për të dëshmuar besimin, në një kohë kur besnikëria ndaj fesë shkon edhe kundër rrymës”, thotë Betori.

Për Kardinal Ernest Simonin, ky ishte një vlerësim që i bëhet jo vetëm atij, por gjithë Shqipërisë. “Kjo ftesë ishte që në fillim, para se të emërohesha kardinal, me dashurinë e madhe që Kardinali i Firences ka për popullin shqiptar”, shprehet Dom Simoni.

Ndonjëherë mjaftojnë veprime të vogla, një vepër arti, një ndeshje futbolli apo një meshë e drejtuar nga një kardinal shqiptar për të bërë që emri i Shqipërisë të përmendet gjatë.

Top Channel