Dita e Rinisë, PD-ja proteston

08/12/2016 00:00

Ashtu si 26 vite më parë, të rinjtë zgjodhën të protestojnë këtë 8 Dhjetor duke kërkuar rrëzimin e qeverisë. Për rreth 30 minuta, të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike protuestuan përpara kryeministrisë, për të lëshuar aty mesazhet drejtuar kryeministrit Rama.

Qeska të mbështjella me natriban, të cilat në fund të protestës punonjësit e bashkisë nxituan t’i mbledhin, ishin zgjedhur si simbol i të rinjve në këtë 8 dhjetor.

“Rinia të thotë sot se nuk të do më. Ne kemi ardhur përpara kryeministrisë në këtë 26 Dhjetor për t’u ndarë njëherë e mirë me të shkuarën që mban emrin e Edi Ramës”, u shpreh Belind Këlliçi, kryetar i FRPD-së.

Më herët qindra të rinj protestuan përpara disa institucioneve, duke kërkuar dorëheqjen e ministrave dhe të kryebashkiakut Veliaj.

Për më shumë se një orë, të rinjtë e FRPD-së protestuan përpara ministrisë së brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Tahiri, pasi sipas tyre ai është personi përgjegjës I kriminalitetit në vend dhe kanabizimit të Shqipërisë.

Dorëheqjen të rinjtë demokratë e kërkuan edhe nga Ministri i Shëndetësisë, përpara zyrës së të cilit vendosën në shenjë simbolike edhe një arkivol.

“Kjo nuk është Ministria e Shëndetësisë, kjo është ministria e koncensioneve, ministria e vdekjes”, u shpreh Lisandër Hoxha, nënkryetar i FRPD-së.

Ministria e Arsimit ishte ndalesa tjetër e të rinjve demokratë, të cilët ndërsa kërkuan dorëheqjen e ministres Nikolla, goditën me shkumës godinën e re të Ministrisë.

Trafiku, transporti publik në kryeqytet dhe plehrat ishin arsyet për të cilat të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike protestuan para Bashkisë së Tiranës në ditën e rinisë.      

“E Ftoj Eri Velin që është një i ri si ne të blejë një biletë autobusi, një abone dhe të përshkojë rrugët e Tiranës për të parë trafikun për të parë gjendjen e urbanëve të qytetit të Tiranës, por pa kamerat e tij dhe maskat, të jetë një ditë një si ne”, u shpreh një nga protestueset.

Top Channel