PD: Gratë dhunohen dhe vota e tyre nuk merret në konsideratë

07/12/2016 14:00

“Në zgjedhjet e ardhshme kërkojnë të blejnë kryefamiljarin sepse votën e grave e konsiderojnë si blerje me shumicë”. Kështu u shpreh Oerd Bylykbashi gjatë takimit të Lidhjes Demokratike të Gruas Demokrate dhe Forumit Rinor në Durrës.

“Kjo është arroganca qeveritare”, tha Bylykbashi, duke shtuar se nëse nuk reagohet tani, situata pas vitit 2017 do të jetë edhe më e vështirë.

“Në vitin 2017 është turp i madh në këtë vend i cili kërkon që t’i hapen negociatat për vend anëtar të Bashkimit Europian, që ne të diskutojmë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është e papranueshme. Vota vlen, por jo ajo që shitet për 30 apo 50 mijë lekë. Është ky pazar i votës i cili ka vrarë përgjegjshmërinë e qytetarëve. Roli i gruas dhe i të rinjve demokratë është shumë i madh në këtë drejtim”, tha kryetari i PD-së në Durrës.

Në takim, shqetësuese u cilësua dhuna dhe vrasjet në familje gjithnjë e në rritje. Bylykbashi theksoi se varfëria, papunësia, mungesa e shpresës, ikjet nga Shqipëria duke kërkuar azil në Europë, sjellin aktet makabre në familje dhe shoqëri.

Dhuna në familje dhe vrasjet e përditshme në një javë u shtruan në këtë takim nga Kryetarja e LDG-së, Albana Vokshi, e cila theksoi se në 3 muajt e parë të vitit janë regjistruar 3 mijë raste dhune në familje.

“Shkak është varfëria, 7 gra janë vrarë nga burrat brenda 9 muajve, duke lënë 14 fëmijë jetimë, 5 prej tyre me urdhër mbrojtjeje. Liliana ishte njëra prej tyre. Urdhër mbrojtje që nuk u ekzekutua kurrë. Çfarë mund të bëjmë? Institucionet nuk kanë reaguar, ministrat e hedhin përgjegjësinë sa te njëri tek tjetri, askush nuk mban përgjegjësi”, tha Vokshi.

Top Channel