Kotzias: Minoriteti dhe çështja e pronave, prioritet në hapjen e negociatave me Shqipërinë

07/12/2016 10:00

Qeveria aktuale greke nuk ka për të përsëritur gabimet e qeverive të mëparshme duke mbështetur pa kusht Shqipërinë në procesin e mëtejshëm të integrimit të saj europian. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias kujtoi pesë parakushtet bazë të vendosura prej Bashkimit Europian, ndër të cilat, për Athinës, renditen si prioritare forcimi i mbrojtjes së të drejtave të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, çështja e pronave të minoritarëve atje dhe veçanërisht ajo e pronave të Kishës Autoqefale Shqiptare.

Kjo deklaratë e Kotzias u bë në përgjigje të pyetjes që ish-ministrja e Jashtme Dora Bakojanis kishte bërë në hulumtim të qëndrimit të qeverisë greke në samitin e ardhshëm të Bashkimit Europian, ku pritet të vendoset data për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Me këtë rast, Kotzias nënvizoi se konkluzionet e komisionit për progresin e shënuar në Shqipëri nuk janë të detyrueshme për Këshillin e Europës, i cili është dhe organi që mbikqyr dhe vendos në mënyrë unanime për çdo stad të procesit të zgjerimit europian dhe jo raportet e progresit të komisionit, të cilët nuk detyrojnë në asnjë shkallë Këshillin Europian.

Kotzias shton se si rezultat i angazhimeve intensive të Athinës, janë arritur formulime veçanërisht të rëndësishme në konkluzionet e organit kompetent, siç është këshilli i çështjeve të përgjithshme të Bashkimit Europian dhe aq më tepër në tezat e përbashkëta të Bashkimit Europian për Këshillin e Asocim-Stabilizimit të Bashkimt Europian, që është edhe organi më i lartë përgjegjës për dialogun BE-Shqipëri për hapjen e negociatave të integrimit.

E thënë ndryshe, Athina i bën të qartë Tiranës se rruga e saj për integrimin në familjen europiane kalon sërish nga Athina.
Një rrugëtim, të cilin kësaj radhe do të jetë i kushtëzuar dhe Athina duket se nuk do të bëjë asnjë lëshim, sikundër ndodhi në vitin 2014 me dhënien e statusit të vendit kandidat.

Top Channel