Koncesioni i Rrugës së Kombit, Dervishaj: Drejt finalizimit

07/12/2016 00:00

Negociatat për koncesionin e mirëmbatjes së Rrugës së Kombit po shkojnë drejt përfundimit, sipas ministrit të Transportit Sokol Dervishaj. Për vitin e ardhshëm buxheti i shtetit nuk ka parashikuar para për mirëmbajtjen e këtij aksi.

“Shteti nuk paguan më asnjë lek për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, sepse atë do ta mirëmbajë koncesionari”, deklaroi ministri Dervishaj.

Qeveria do të subvencionojë trafikun e munguar sipas kontratës, por edhe ky zë është pa financime në buxhet, sipas Ministrisë së Transportit pasi kostot dalin pas vënies në punë të koncesionit.

Marrëveshja po negociohet me konsorciumin “Katalist”, ku pjesëmarrëse janë edhe disa kompani shqiptare. Në bisedime do të dakordesohet per cmimet. Gjithsej për rrugët vitin e tjetër janë parashikuar 17.6 mld lekë investime për të mbyllur projektet e nisura, kurse për Rrugën e Arbrit po shqyrtohet mundësia e ndërtimit me koncesion të saj.

Për 2017 projekt i rëndësishëm në infrastrukturë është rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës me degëzim Rinasin. 11 milion euro janë parashikuar në buxhet dhe punimet mund të fillojnë që në pranverë.

“Besojmë që në pranverën e vitit të ardhshëm nisin punimet në përfundim të të gjitha procedurave. Besoj që në 1 vit e gjysmë të bëhet i gjithë i aksit, që ka të bëjë me trasenë, stacionet multimodale dhe që do t’i japë një perspektivë të re sektorit të transportit hekurudhor, kryesisht atij të mallrave”, sqaroi Dervishaj. 

Në Komisionin e Ekonomisë, Dervishaj foli edhe për koncesionin e Portit të Karpenit, për të cilin tha ai nuk ka ende asgjë konkrete. 

Top Channel