Haki Çako i pranishëm në Forumin e Romës

07/12/2016 00:00

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, mori pjesë në Forumin e Romës, ku ishin të pranishëm të gjithë drejtorët e Policive të Ballkanit Perëndimor dhe Drejtorët e organizatave dhe agjencive që mbështesin policitë europiane si Europol, Interpol e të tjera.

Drejtori i Policisë së Shtetit, në fjalën e tij u ndal në aspektet e bashkëpunimit me partnerët dhe në rëndësinë që Policia e Shtetit i vë bashkëpunimit ndërkombëtar si zgjidhja e vetme për të patur siguri në vendet tona.

“T’i kthejmë kufijtë tanë në barriera të pakalueshme për kriminelët dhe në vija të padukshme për qytetarët tanë”, theksoi ai në ndërhyrjen e tij.

Nga ana e tij, Shefi i Policisë Italiane, Prefekti Franco Gabrielli shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe unik me Policinë e Shtetit Shqiptar. Misionet prezente në Shqipëri të cilat asistojnë dhe punojnë krah për krah me Policinë e Shtetit janë të angazhuara dhe do të vazhdojnë të jenë të angazhuara maksimalisht edhe në të ardhmen në të gjitha fushat.

Më herët, drejtori i policisë u takua edhe me ambasadoren e Shqipërisë në Romë, Anila Bitri. Në këtë takim ata trajtuan problematikat aktuale që hasin shtetasit shqiptarë në shtetin Italian, por edhe çështje që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe minorenët e pashoqëruar.

Top Channel