Rizgjedhja e Kancelares Angela Merkel në Kongresin e CDU-së gjermane ishte një rast që Lulzim Basha të nxjerrë në pah shqetësimet për Shqipërinë.

“Pata mundësinë të takohem me kancelaren Merkel, ta falënderoj për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë, Dhe dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët se kancelarja Merkel do të mbështesë pa asnjë lëkundje Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këto sfida të jashtëzakonshme, në veçanti sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një sfidë imediate për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.

Të njëjtat çështje Lulzim Basha i diskutoi edhe në Bruksel me zyrtare të Komisionit Europian, takime që po zhvillohen një javë përpara vendimmarrjes së Këshillit Eurpian.

“Partia Demokratike dhe unë jemi fare të qartë në qëndrimin tonë, ne kërkojmë hapjen e negociatave në momentin më të parë të mundshëm edhe si një vlerë shtesë, dhe si një presion shtesë ndaj një qeverie deficente në sundimin e ligjit”, u shpreh kreu i PD-së.

Kreu i opozitës beson se Shqipëria mund të ecë përpara me integrimin vetëm me një qeveri që lufton korrupsionin, krimin dhe drogën, duke garantuar një demokraci funksionale, në bazë të të cilave janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Dhe këtu në Bruksel dhe në Berlin, Partia Demokratike dhe unë kemi marrë përgjegjësitë sot si opozitë dhe nesër si qeverisje për ti trajtuar këto probleme të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për BE, me seriozitet dhe për ti zgjidhur ato. dhe nuk do të gjejmë pretekste për të kontrolluar procese kyçe, siç janë pastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Kushtetutës, jo sipas Kryeministrit, apo nisja nga puna e Byrosë së Veçantë të Hetimit dhe të ndjekjes penale për zyrtarë të korruptuar”, u shpreh Basha.

Top Channel