“Balili”, nis hetimi shqiptar. Policia: Po e kërkojmë

07/12/2016 00:00

Klement Balili, i shumëkërkuari nga Greqia dhe Shqipëria, do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda shqiptare në bazë të të dhënave të dosjes së dorëzuar nga autoritetet greke më 14 nëntor.

Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi të shtetasve shqiptarë me Greqinë dhe pritet të ndiqet e njëjta procedurë si me rastin e ish-deputetit Mark Frroku. Paralelisht me prokurorinë shqiptare, hetimet do të vijojnë edhe nga autoritetet greke.

Një ditë pas publikimit nga Top Channel të lajmit se dosja me 10 mijë faqe ende nuk ishte dorëzuar në Prokurori, reagoi Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ministri tregon se dosja u dorëzua në Prokurori ditën e publikimit të lajmit.

“Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira sepse kërkojne nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar më 6 dhjetor 2016”, shkruan ai në Facebook.

Top Channel raportoi se përveç dosjes në gjuhë të huaj, më 12 nëntor autoriteteve shqiptare u ishte dorëzuar e njëjta dosje e përkthyer nga vetë grekët në shqip. Por ministri Manjani e anashkaloi këtë në reagimin e tij.

Pasi përshkuan kalvarin e dosjes që nga dita e mbërritjes e deri tek përkthimi dhe dorëzimi në Prokurori, ministri Manjani shprehet se kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar dhe gjykuar ligjërisht Klement Balilin bën mirë ta bëjë.

Sipas materialeve të ardhura nga autoritetet greke, Klement Balili akuzohet për disa vepra penale, si trafiqe të narkotikëve dhe qënieve njerëzore, por edhe për vrasje të kryera nga grupi i strukturuar kriminal që drejtohej nga ai.

Top Channel