Zonat e mbrojtura, Koka: Ligji i ri do sjellë fuqizimin e tyre

06/12/2016 00:00

Në një forum me temë zonat e mbrojtura, ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka deklaruar se, zonat në fjalë nuk janë vetëm për t’u ruajtur, por edhe për t’u shërbyer qytetarëve.

“Ligji i ri për këto zona do të sjellë fuqizimin e tyre dhe gjithashtu përmes tij do të rishikojmë vlerësimin e zonave të mbrojtura”, ka deklaruar Koka.

Ai ka theksuar se ka zona që janë shpallur të mbrojtura qysh në vitin 1966, por realiteti në të cilin ato ndodhen është ndryshe.

“1 milion dollarë janë investuar në zonat e mbrojtura nga qeveria shqiptare dhe 6 milionë euro nga donatorët vetëm në vitin 2016”, ka shtuar Koka.

Ai ka theksuar rëndësinë që të shqyrtohet mundësia që në ligjin e ri të përfshihet propozimi që të ardhurat për zonat e mbrojtura të menaxhohen nga autoriteti përkatës.

E pranishme në këtë forum, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni është shprehur se rrjeti i zonave të mbrojtura duhet të jetë një model për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Shqipëria 2030 është vizioni i qeverisë shqiptare, për një Shqipëri të integruar dhe konkurruese në rajon, për një Shqipëri e cila e bazon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, duke garantuar më së pari ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e potencialeve të saj natyrore dhe të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gjermeni.

Top Channel