Komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn ka sjellë nga Brukseli 80 milionë euro për reformën e administratës në Serbi. Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç e ka pritur atë duke lavdëruar bashkëpunimin me BE-në dhe punën që është bërë.

Ekonomikisht BE-ja është e rëndësishme pasi, siç ka thënë vetë Vuçiç, gjysma e punëtorëve janë në kompani që eksportojnë. Kryeministri serb ka sqaruar qëndrimet e tij duke thënë se Prishtina ka më shumë miq në BE, por pavarësisht ngecjeve bisedimet duhet të vazhdojnë për të mirën e vetë Serbisë.
 
“Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë në rajon në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian pasi kjo është për ne e rëndësishme. Por, nuk do të shkelim interesat tona kombëtare vetëm sa për të çelur kapitujt me BE-në”, tha Vuçiç.

Edhe Hahn tha se Serbia mund të ketë besim tek BE. Marrëdhëniet me fqinjët janë të pashmangshme.
 
“Një bashkëpunim i fuqishëm mes vendeve të rajonit është i rëndësishëm, pavarësisht se nëse këto vende janë tashmë apo do të bëhen pjesë e BE-së. Ky process duhet të përfundojë me pajtimin e shteteve dhe të qytetarëve në rajon”, deklaroi Komisioneri Hahn.

Besimin në BE e shprehin shumë qytetarë të Serbisë, por gjithmonë rruga e këtij vendi kalon në dyshimet mes Brukselit apo Moskës, e sidomos kur bien ndesh qëndrimet globale.

Serbia do të hapë edhe një kapitull në negociatat për anëtarësim, por ngecjet i shkaktojnë kërkesat nga Zagrebi.

Top Channel