PS, Kryesia propozon shkarkimin e Kokëdhimës

05/12/2016 00:00

Kryesia e Partisë Socialiste propozoi shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga detyra e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin.

Sipas statutit, është Asambleja ajo që mund të shkarkojë një sekretar dhe anëtar të Kryesisë së Partisë Socialiste. Burime të Top Channel konfirmojnë se arsyeja e propozimit për shkarkim është moskryerja e detyrës së sekretarit.

Që kur është konstituar Kryesia, Koço Kokëdhima nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje. Dy muaj më parë në mbledhjen e Asamblesë, Taulant Balla ngriti shqetësimin se Kokëdhima nuk ka kryer asnjë ditë detyrën e sekretarit.

Shkarkimi i Koço Kokëdhimës rastis me nisjen prej tij të disa takimeve në bazën e partisë në një lëvizje që  ai e quan për “demokratizimin e Partisë Socialiste”.

Top Channel