Krimet në familje, Bregu: Prokuroria të nisë një hetim tërësor

05/12/2016 00:00

Pas reagimit të një dite më parë në “Facebook”, ditën e sotme deputetja Majlinda Bregu i kërkoi prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim tërësor në lidhje me vrasjen e e Liljana Rukaj në Fier ditën e shtunë nga bashkëshorti i saj.

“Sipas ligjit për masat parandaluese të dhunës në familje, urdhri i gjykatës duhet të jetë titull ekzekutiv dhe të përcillet menjëherë, brenda 24 orëve me korrierin e Gjykatës te Komisariati i Policisë, prokurori i çështjes, zyrës përmbarimit dhe koordinatorit për dhunën në familje pranë njësisë bashkiake. Prej këtu lindte pyetja: Pse Policia nuk e mbrojti dot Liljana Rukaj?”, shprehet Bregu.

Teksa i referohet edhe deklaratës së ditës së sotme të ministrit Tahiri se Policia ka bërë strehimin e saj në banesën e të vëllait të saj dhe ka kërkuar menjëherë pranë Gjykatës Fier lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, Bregu thotë: Gjykata pretendon se ka lëshuar urdhër mbrojtje. Policia se nuk e ka marrë. Pushteti Vendor nuk di gjë. Nëse urdhri i mbrojtjes nuk është përcjellë nga gjykata në polici, apo është përcjellë po atje s’ka mbërritur kurrë, unë nuk e di. Di se kushdo qoftë që nuk e ka zbatuar ligjin ose më keq e ka trajtuar këtë rast si një ndër rastet epidemike të dhunës në familje, sot duhet ndëshkuar po si bashkëshorti vrasës.

Bregu kërkon nga Prokurori i Përgjithshëm për të nisur me urgjencë një hetim tërësor për papërgjegjshmërinë institucionale. Gjithashtu, deputetja kërkon nga Presidenti Nishani që në cilësinë e Kryetarit të KLD-së të nisë inspektimin tematik të rastit në Fier dhe për të gjitha rastet e vendimeve të dhunës në familje.

“Mos harroni, kush nuk vepron në bazë të asaj çfarë i ngarkon ligji, është bashkëfajtor. Nesër mund të ketë një viktimë tjetër”, tha Bregu.

Top Channel