Ish-kryeministri grek: Greqia po dobësohet, edhe Rama po e sfidon

05/12/2016 09:55

Ish-kryeministri grek Antonis Samaras, në një intervistë për gazetën “Vradini”, pavarësisht se konsideron partinë në fuqi Syriza si një parti që e ka çuar vendin në batak, bën thirrje për një linjë kombëtare përsa i përket marrëdhënieve me fqinjët, duke kritikuar përveç Ankarasë edhe Tiranën zyrtare.

“Është e vërtetë që Erdogani kërcënon. Por, nuk më shqetësojnë kërcënimet e tij sepse gjen dhe bën. Por, ka filluar edhe kryeministri Edi Rama të sfidojë”, shprehet Samaras, duke theksuar se shqetësohet pasi dobësimi i rolit të Greqisë ka trimëruar provokimin e fqinjëve shqetësues.

“Këto nuk do të ndodhnin nëse Greqia do të forconte pozicionin e saj ndërkombëtar dhe nuk ndodhnin kur Greqia e bënte këtë” ka shtuar Samaras.

I pyetur nga gazetari për deklaratat e fundit të Tiranës, Samaras ripërsërit se është pikërisht ky dobësim i rolit ndërkombëtar të Greqisë që bën që edhe Shqipëria të shfaqet, sipas tij, “me versionet më qesharake të kërcënimeve dhe provokimeve”.

Ish-kryeministri konservator ka mbështetur ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias në politikat e tij, duke theksuar se “edhe pse është një kundërshtar politik, nuk ka faj ai në këtë rast, por vendet fqinje”.

Top Channel