Humbja në referendum dhe dorëheqja e Renzit

05/12/2016 00:00

Hyrjen në sallën e mbushur me gazetarët, që prisnin reagimin e tij pas disfatës së referendumit, Matteo Renzi e shoqëroi me një buzëqeshje, por tronditjen sërish nuk e fshehu dot.

Me fjalët “më është mbledhur një lëmsh në grykë”, ai u tregoi dhe vet të tjerëve, atë që në fakt për ta ishte fare e qartë: hidhërimi i thellë, dorëzimi, e në fund edhe doza zemërate.

“Nuk e dija që më urrenin kaq shumë”, u ka thënë kryeministri në largim i Italisë bashkëpunëtorëve të tij. Një shprehje, e cila sipas “Corriere della Sera”-s nuk iu referohet votuesve, por kundërshtarëve të brendshëm. “Pakica e Partisë Demokratike, për shembull”, thotë e përditshmja prestigjioze, e cila i solli situatat në pikën që Beppe Grillo të ndihet sikur është tashmë pjesë e qeverisë.

“Unë bëra atë që duhej të bëja”, tha Renzi në ditën e vet më të vështirë. “Propozova një reformë të drejtë. Luftova kundër kastës më të poshtër. Nëse nuk më duan, unë zgjedh të largohem me ndërgjegjen të pastër”.

Dhe këtu nuk është fjala thjesht për Kryeministrinë. Përpara se të niste aventura e referendumit, ai ishte shprehur se në rast humbjeje do të hiqte dorë dhe nga partia, e ndoshta hedh edhe këtë hap.

Synimi i reformës së rrëzuar të dielën ishte thjeshtimi i sistemit parlamentar me dy dhoma të barazvlefshme. Ishte parashikuar që, nga 315, numri i anëtarëve të ulej në 100. Senati, sipas këtij propozimi, nuk do të kishte më mundësi të rrëzonte ekzekutivin dhe do të vendoste vetëm për një numër të kufizuar ligjesh. Parashikohej që një lëvizje e tillë të prodhonte më shumë stabilitet për një vend prè të ndryshimit të shpeshtë të qeverive. Proceseve të stërzgjatura të miratimit të ligjeve, po kështu duhej t’i jepej fund. Rajonet supozohej gjithashtu t’i kalonin më shumë kompetenca Romës, si mënyrë për të përshpejtuar projektet e infrastrukturës.

Shpresat e Renzit ishin që me miratimin e kësaj reforme të kishte më shumë mbështetje për ndryshime në Europë. Ama, ai duket se nuk llogariti zemërimin kundër parisë (establishmentit) që ka zënë rrënjë anekënd Bashkimit Europian, ku vende si Gjermania e Franca po shkojnë në votime me kandidatë euroskeptikë e populistë, si pjesëmarrës të rëndësishëm në garën për pushtet.

Top Channel