Konventa e LSI-së, Vasili: Procesi i votimit, risi. Jemi shembull

04/12/2016 00:00

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e konsideroi proces risi dhe shembull procesin e votimit që po zhvillohet në këtë parti për të zgjedhur krerët e strukturave.

“Procesi i votimit po procedon me ritëm shumë të lartë. Është një proces risi në mënyrën se si po zhvillohet, një proces tërësisht elektronik i cili mundëson edhe një votim shumë të lehtë, por edhe një nxjerrje tepër të lehtë të rezultatit. Besoj që në këtë drejtim japim një shembull pozitiv edhe novator se si mundet që edhe teknologjia të vihet në shërbim edhe të lehtësisë së votimit, por edhe të qenësisë së kujtdo që ushtron votën e tij, në këtë rast, brenda strukturave të LSI-së, por pse jo edhe më gjerë, për sa i takon procesit të votimit në Shqipëri, proces shumë i diskutuar”, deklaroi Vasili.

Më tej, Vasili shtoi në lidhje me këtë konventë, se “i gjithë thelbi, veçanërisht politik i konventës, qëndron në atë që dje ishte në sintezën që z. Meta bëri për një vizion dhe një politikë krejtësisht me një qasje mendje hapur. Një politikë e cila shikon përtej interesit të ditës. Një politikë që e vë interesin e qytetarëve të parin dhe çdo tjetër del në plan të dytë dhe një politike e cila në themelin e saj ka konstruktivitetin dhe pozitivitetin në të cilin ndërton ura bashkëpunimi dhe jep zgjidhe, përkundrejt një konfliktualiteti malinj, sistematik të kultivuar e stërkultivuar, i cili përveç se regresit dhe pesimizmit nuk ka prodhuar asgjë tjetër”.

Top Channel