Maqedonia është afër të bëhet një shtet dështimi. Problemet e njëjta ndër vite bllokojnë këtë shtet nga progresi, pavarësisht se ishte vendi i parë kandidat për në Bashkimin Europian. Mbrojtësi i portës së madhe të Perëndimit gjatë krizës së refugjatëve dhe i vetmi vend që shpëtoi pa luftë gjatë rënies së Jugosllavisë.

Zgjidhja e krizës politike solli deri tek zgjedhjet e parakohshme, pasi kritikat e opozitës vërshuan Shkupin. Nga protestat e fuqishme e deri tek bllokadat e vazhdueshme.

Një nga protagonistet kryesor të zgjedhjeve është Zoran Zaev, majtisti që tha se do ta bëjë shqipen gjuhë zyrtare në Maqedoni.

“Maqedonia ka një kushtetutë të bukur, është e definuar e qartë se të gjithë mund të përdorin gjuhën e tyre në mënyrë liberale dhe europiane”, ka thënë Zoran Zaev, Partia LSDM.

Partitë shqiptare thonë se zgjidhja e problemeve të tyre duhet të kthehet në baza etnike dhe të barazisë.

“Frika më e madhe e Bashkimit Demokratik ishte të mos vinim deri te konflikti mes palëve, ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Në këtë situatë u implikuan edhe shumë forca destruktive, të padukshme, qofshin ato që veprojnë në rajon apo ato brenda Republikës së Maqedonisë”, shprehet Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Në zonat ku jetojnë shqiptarët dallimi është shumë i madh, aty nuk ka infrastrukturë, nuk funksionon sistemi i kanalizimit, nuk funksionon sistemi i ujësjellësit, nuk funksionon aspekti i një cilësie të arsimit, nuk funksionon. Diskriminimi që u bëhet shqiptarëve është sistematik, i programuar”, shprehet Menduh Thaçi, Partia Demokratike Shqiptare.

Maqedonia apo FYROM, siç njihet nga Kombet e Bashkuara, dhe rruga e saj drejt zgjidhjes në “Exlusive”.
 

Top Channel