Veliaj inspekton punimet e UKT: Investim që i reziston kohës

03/12/2016 00:00

Zona që përshkon rruga e “Kavajës”, nga “21 Dhjetori” deri te “Pallati me Shigjeta”, e cila prek Njësitë Administrative Nr. 5 dhe 7, do të ketë shumë shpejt një rrjet të ri kanalizimesh të ujërave të zeza dhe të bardha.

Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kanë nisur zbatimin në terren të një prej projekteve më të rëndësishme, që synon të shmangë problematikat e përmbytjeve, por edhe të ujërave të zeza, që shpesh herë janë bërë shqetësim për banorët e zonës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se me këtë investim do t’i jepet zgjidhje një problemi gati 20 vjeçar, sidomos për periudhat e shirave.

“Ky është një nga 105 kantieret e UKT, ku jemi duke punuar, megjithatë është një ndër më të rëndësishmit, pasi lidh një aks që kryen disa funksione; së pari, nga “21 Dhjetori” deri te “Pallati me Shigjeta” është aksi kryesor i shkarkimit në Lanë. Prej kohësh kemi pasur një “hinkë”, e cila krijohej nga pendenca e qytetit nga sheshi Skënderbej në pjesën e jugore, duke sjellë ujrat, mbetjet, kanalet e ujërave të bardha e të zeza në Lanë. Duke bërë këtë investim, paraprakisht e kemi më kollaj të vazhdojmë me rehabilitimin e shtratit të Lanës dhe shëtitoren nga të dy anët”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se investimi që po kryhet është projektuar me kapacitete e cilësi që t’i rezistojë kohës dhe zhvillimit të mëtejshëm të Tiranës.

Top Channel