Dekriminalizimi, Artur Bushi del i pastër

03/12/2016 00:00

Prokuroria e Përgjithshme e ka certifikuar si të pastër kryetarin e bashkisë së Krujes, Artur Bushi për të cilin 7 muaj më parë u deklarua hapja e hetimeve sipas ligjit të dekriminalizimit.

Në dokumentat që Top Channel disponon akuza i përgjjigjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke konstatuar se subjekti deklarues Artur Bushi nuk përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar në ligjin e dekriminalizimit.

Në formularët e vetëdeklarimit të kryebashkiakut pranohej se ai ishte ndaluar dy herë në Itali, së pari në 1996 për shfrytëzim prostitucioni dhe së dyti në 2o10 për trafik droge. Prokuroria i referohet në hetimet e saj kërkesave të përcjella Europol dhe pales italiane që konfirmojnë regjistrimin në database të policise kombëtare italiane për kater episode që nga kontrollet ndaj tij në aeroportin e Malpensës deri tek denoncimet për shfrytezim prostitucioni.

Por gjatë hetimeve kryebashkiaku Bushi ka bashkangjitur një sërë vërtetimesh që tregojnë se dosjet ndaj tij janë mbyllur. Aty bëjnë pjesë një vërtetim i gjendjes gjyqësore në Itali ku vërtetohet se nuk ka asnjë të dhënë penale kundër tij, një kërkesë pushim hetimesh nga prokuroria e Busto Arsizios për episodin e drogës për shkak të mungesës së elementeve hetimore, një vendim i të njëjtës gjykate për revokim të masës së arrestit ndaj Bushit, si edhe një vendim pushimi nga gjykata italiane pasi prokuroria ka rindërtuar ndodhitë ku konkludon mos ekzistencën e kushteve për ndjekje penale ndaj tij.

Prokuroria e Përgjithshme përmend edhe dëshminë e kryebashkiakut që rrëfen arrestimin e 1996 dhe lirimin e mëpasshëm. Në përfundim prokuroria shprehet se gjatë këtyre hetimeve ka kryer një verifikim të plotë e të gjithëanshëm ndaj tij dhe Artur Bushi u akuzua nga Partia Demokratike se nën emrin Kastriot Cakoni ka kryer vepra penale në Itali e për këtë arsye ai duhet të jepte dorëheqjen.
 

Top Channel