Krimet e komunizmit, Nishani: Po glorifikohen figura të dala boje

02/12/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë në Bruksel, në konferencën mbi “Krimet e regjimit komunist në Shqipëri: Lufta e klasave, krim çnjerëzor në emër të luftës për pushtet!” të organizuar nga eurodeputeti belg, Louis Michel.

Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit kritikon ashpër “veprat e artit” të krijuara së fundmi në Shqipëri për të kujtuar ngjarjet e dhimbshme të sistemit totalitar.

“Në Shqipëri, për fat të keq, vërehen sot e kësaj dite disa tendenca dhe përpjekje për të rilindur të kaluarën e hidhur dhe për ta justifikuar atë në një farë mënyre. Kjo gjë e dëmshme për vetë shoqërinë tonë, për historinë, por sidomos për brezat e rinj, të cilët nuk e kanë jetuar atë kohë, po bëhet nëpërmjet glorifikimit të figurave të dala boje të regjimit totalitar, nëpërmjet shndërrimit të objekteve të urryera të diktaturës në të ashtuquajtura ‘vepra arti’ dhe vende turistike, apo edhe nëpërmjet një lustrimi fals të ngjarjeve apo fakteve historike”, është shprehur kreu i shtetit.

Ai tha se pavarësisht se në 30 tetor të 2006 hyri në fuqi rezoluta për dënimin e krimeve komuniste, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit u ngrit pas një vonese të gjatë të pajustifikuar.

“Edhe në Shqipëri, paçka se nuk janë mbajtur kurrë seanca të tilla u miratua nga Kuvendi dhe hyri në fuqi më 30 tetor 2006, rezoluta ‘Për dënimin e Krimeve të kryera nga Regjimi komunist në Shqipëri’. Sot, pas një vonese të gjatë e të pajustifikuar, në Shqipëri është ngritur dhe konstituuar Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit, i cili shpresojmë se do t’i përmbushë pritshmëritë e të përndjekurve dhe viktimave të regjimit, për t’ua qetësuar të paktën shpirtin si dhe për të gjetur eshtrat e të parëve”, vijon Nishani.
 
Kreu i shtetit përmend si frymëzuese lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku, ku u sghpreh se duhet marrë shembull për të reflektuar si shoqëri. “Kriminelët duhen dënuar ligjërisht më e shumta, ose më paktë duhet të heshtin e të kërkojnë falje”, përfundon fjalën e tij kreu i shtetit.

Top Channel