Ristani: Rama ofendon administratën, modeli i tij janë trafikantët

01/12/2016 00:00

Sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani ka akuzuar kryeministrin Rama se, një ditë më parë, me “zhargonin e tij ordiner fyeu punonjësit e administratës duke i quajtur të paaftë”.

“Ofendoi një pjesë të mirë të atyre punonjësve që megjithëse u mashtruan, tradhëtuan dhe u braktisën për 3 vjet nga Edi Rama, vazhduan pa e ndalur punën e tyre”, ka deklaruar Ristani.

Sipas tij, “në mendësinë e kryeministrit për shtetin punonjësi i administratës s’duhet të jetë specialist i zoti e me përvojë dhe as njeri që punon shumë”.

“Nese nuk ke trafikuar femra, nuk je marrë me prostitucion, me trafik droge, nuk je dënuar për korrupsion, falsifikim dokumentesh, kërcënime, rrëmbim fëmijesh, atëherë ti nuk je i aftë për të punuar në administratë. Vetëm ata që kanë një CV kaq të pasur e meritojnë të jenë në administratë, në polici dhe në Parlament, sipas Edi Ramës”, ka thënë Ristani.

Ai ka shtuar se ky është modeli i Edi Ramës, të cilin ai po mundohet ta implementojë çdo ditë. “Këtë bën çdo ditë edhe piktori i dështuar që është sot kryeministër dhe do të mbetet në histori për modelin e tij të krimit, drogës dhe korrupsionit”, ka shtuar Rama.

Top Channel