Gjosha: Zhbllokimi i Vetting-ut hap negociatat

29/11/2016 00:00

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në një konferencë për shtyp të mbajtur paraditen e kësaj të marte ka vlerësuar “mbështetjen e qartë” të kancelares Angela Merkel në procesin e integrimit.

Sipas Gjoshës, ajo për të cilën shprehu mbështetjen kancelarja një ditë më parë në Berlin ishte për reformat dhe për një proces integrimit të qëndrueshëm.

“Falenderoj kancelaren Merkel për mbështetjen që i ka dhënë shqiptarëve në këtë proces historik të integrimit. Vlerësimi i saj për reformat ishte vërtet pozitiv. Pozitiv ishte edhe qëndrimi për të patur një proces të qëndrueshëm, pa surpriza përmes implementimit të procesit të vetting-ut”, ka thënë Gjosha.

Sipas saj, “gjithçka tanimë varet nga ecuria e ligjit të vetting-ut dhe sa më parë të zhbllokohet ky ligj dhe të nisë zbatimi i tij, aq më shpejt do të nisin negociatat për anëtarësim”.

“Kryetarët e Parlamenteve do të shprehen pasi t’ua kërkojnë krerët e qeverive, ndaj nuk duhet të ndikohemi nga deklaratat individuale të deputetëve të grupeve të ndryshme. Kemi një optimizëm të arsyeshëm se gjërat do të zhvillohen pozitivisht”, ka thënë Gjosha.
Më tej, ministrja e Integrimit u është përgjigjur pyetjeve të mediave.

TCH: A është e gatshme shumica për të pranuar një vendim hipotetik të Gjykatës Kushtetuese për Vetting-un, në mënyrë që të ketë sërish një ligj konsensual? E dyta, po zgjedhjet a janë kusht për hapjen e negociatave?

Gjosha: Nuk mund të paragjykojmë asnjë vendim që mund të vijë nga Komisioni i Venecias, apo Gjykata Kushtetuese. Të shohim më parë vendimin dhe pastaj jemi të gatshëm të shohim për një zgjidhje. Zgjedhjet janë një kusht që çdo vend duhet të plotësojë. Ato janë shumë të rëndësishme, ndaj duhet që reforma zgjedhore të përfundojë sa më shpejt, në favor të qytetarëve shqiptarë.

Top Channel