Festat e Nëntorit, atmosferë kuqezi në kolegjin “Turgut Ozal”

28/11/2016 00:00

Atmosfera e festave të Nëntorit ka mbushur kuqezi ambientet e kolegjit “Turgut Ozal” në Tiranë. Tërësisht mes simbolesh kombëtare, festa e Flamurit ka pasur vëmendjen e drejtuesve të këtij kolegji dhe nxënësve të saj, për të përcjellë një spektakël me këngë, valle dhe recitime vetëm shqip dhe me tematikë atdhetare.

Aktiviteti festiv me rastin e shpalljes së Pavarësisë dhe festës së Çlirimit është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme në kolegjin “Turgut Ozal”, ku nxënësit shpalosin aftësitë e tyre artistike.

Të veshur me kostume popullore të të gjitha trevave shqiptare, nxënësit e “Turgut Ozal” kanë përcjellë emocione të veçanta para spektatorëve të pranishëm dhe prindërve të tyre.

Ky koncert, si dhe një video me ngjyrat kombëtare shqiptare në ambientet e këtij kolegji, kanë përmbyllur aktivitetet për festat e Nëntorit, të cilat kanë nisur që prej dy muajsh në kolegjin “Turgut Ozal” me orë edukative artistike për muajin e Letërsisë dhe Historisë.

“Turgut Ozal” në Tiranë është një ndër institucionet më të preferuara të arsimit dhe ka të plotësuar të gjithe zinxhirin arsimor, duke nisur nga sistemi parashkollor, e deri në atë të arsimit të lartë. Në sistemin 9-vjeçar frekuetojnë mësimin 1.700 nxënës.

Top Channel