Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) brenda dy javëve ka zhvilluar një kontroll në rreth 950 subjekte në të gjithë vendin. Nga ky kontroll kanë rezultuar me probleme 220 biznese, ndaj të cilave është marrë masa administrative “Parlajmërim” dhe “Gjobë”. Kontrollet janë kryer në dyqanet e mishit, në subjektet ku tregtohet nënproduktet e qumështit, në restorante etj.
Në të gjithë qarqet e vendit, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë parë nga afër kushtet se si tregtohen ushqimet. Përveç dyqaneve, janë kontrolluar edhe tregjet, ku janë vërejtur problematika të ndyrshme dhe është bllokuar një sasi e konsiderueshme mishi.
Gjithashtu, janë inspektuar edhe byrektoret, “fast food”-et, zgarat e qofteve, ku janë vendosur disa gjoba në vlerën prej 100.000 lekë. Në kryeqytet është bërë bllokimi i aktivitetit për 2 subjekte, të cilat tregtonin ushqime pa plotësuar kushtet.
Gjobat për ato subjekte të cilat tregtojnë pa plotësuar kushtet e sigurisë ushqimore kanë qënë nga 100.000 deri në 300.000 lekë.
Duke qënë se vijnë festat e fundvitit rritet edhe konsumi, prandaj AKU u bën apel qytetarëve që të blejnë produkte të cilat kanë datën e skadencës dhe etiketën në gjuhën shqipe. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të shtojë kontrollet përgjatë festave të fundvitit.
Top Channel