SHBA-ja heq sanksionet ndaj presidentit sirian Ahmed al-Sharaa përpara takimit me Trump të hënën
Një studente është goditur në fytyrë dhe ka mbetur pa ndjenja, pas një sulmi të paprovokuar në një restorant “McDonald’s”, pasi një person zbuloi se ajo ishte nga Londra.
Megan Westlotorn, 18 vjeç, ishte me shoqërinë e saj në “McDonald’s” pranë Salford Crescent, Greater Manchester, kur dëgjoi papritur shprehjen “një jugore e ndyrë” dhe më pas u gjend pa ndjenja.
Policia njoftoi se po heton sulmin ndaj studentes së shkencave sportive mëngjesin e së dielës.
Megan, e cila studion në vitin e parë në Universitetin “Salford”, po priste në banak për të marrë porosinë e saj, kur një mashkull nisi t’i fliste. Ajo rrëfeu se, vetëm kur agresori mësoi se nga vinte ajo, atij i ndryshoi sjellja dhe papritur mori një të goditur.
Studentja, e cila ka publikuar edhe fotot e rrobave të saj të gjakosura pas incidentit, tha se e vërejti agresorin teksa fliste me njerëz të tjerë kur do të merrte porosinë dhe, pasi e kishte pyetur se nga ishte dhe vajza i ishte përgjigjur “nga Londra”, ai ndryshoi qëndrim.
“Menjëherë nisi të më ofendonte dhe të abuzonte me mua. Më quajti një jugore e ndyrë dhe më tha se isha një femër e përdalë. Gjithashtu shtoi se i urrente londinezët. U tërhoqa dhe i thashë se nuk doja të përfshihesha në atë situatë”, shprehet 18-vjeçarja.
Edhe pse mendoi se me kaq kishte përfunduar debati, në largim e sipër nga banaku agresori e ndoqi dhe e goditi në fytyrë.
“E vetmja gjë që di është se isha shtrirë në tokë dhe isha gjakosur, – tha Megan. Goditja e tij mund të më kishte lënë pa ndjenja për rreth një minutë, ndërkohë që gjakderdhja vijonte nga hunda. U ndieva e shokuar. Nuk e mendoja atë që do të ndodhte më pas. Sigurisht nuk prisja të më godiste. Kur shkova te shoqja ime, ajo nuk mund ta besonte atë që kishte ndodhur. Ndodhi gjithçka shumë shpejt”.
Megan, e cila sapo është transferuar nga shtëpia e saj në juglindje të Londrës për të nisur studimet e larta, ka lëshuar një paralajmërim për të gjithë studentët e tjerë, për të qenë vigjilentë ndaj agresorëve të ngjashëm me atë që e goditi.
Top Channel