Debati për ligjin e mbetjeve vijon të prodhojë tensione dhe protesta. Që mbrëmjen e së mërkurës përfaqësuesit e AKIP ishin vendosur në hyrje të sallës së seancave plenare, në protestë për moskalimin e këtij ligji.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë, vetëm pak metra më larg, i dërguan një ultimatum politikës.
“Ti japin fund debatit shterp dhe kalkulimeve elektorale. Në të kundërt, sipërmarrja shqiptare do të vijojnë me përshkallëzimin e protestës”, tha Arban Shkodra, nënkryetar i unionit të Dhomave të Tregtisë.
Por në një dalje për mediat, Eduart Shalsi sulmoi protestuesit duke mbrojtur ligjin.
“Ndjehem i keqardhur që nga ata pak qeramënë që kanë mbetur nëpër rrugë e deri tek ata pak intrigantë, spekulant që gjenden edhe në Parlament e kanë përdorur çështjen jo nisur nga shqetësimi për të pasur një Shqipëri më të pasur, por thjesht nga përfitimet e tyre të ngushta personale”, tha Eduard Shalsi.
Pasi u informuan se dekreti i Presidentit, i cili kthente ligjin e mbetjeve, nuk do të shqyrtohej në seancës e kësaj të enjte, edhe pse afati përfundonte sot, mbështetësit e AKIP u larguan, por duke paralajmëruar se do jenë sërish në protestë në rast se ligji kalohet.
Top Channel