Berisha: Mazhoranca, e mbërthyer nga mafia e plehrave

24/11/2016 00:00

Duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje, ish-kryeministri Berisha ka shprehur mbështetjen e tij për protestat e shoqërisë civile kundër ligjit të mbetjeve, të cilin e miratoi vetë kur ishte ende në pushtet.

“Përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve që protestojnë. Ata po përpiqen të mbrojnë të ardhmen dhe shëndetin”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se ky ligj do ta kthejë Shqipërinë në gropën e madhe të mbeturinave të Europës. “Ky ligj synon ta kthejë Shqipërinë në pellgun e plehrave të Italisë. Dhe kthimi i Shqipërisë në megapellgun e plehrave është me rrezik për shëndetin”, ka thënë Berisha.

Ai ka akuzuar mazhorancën se “është e mbërthyer kokë e këmbë nga mafia e plehrave” dhe se po abuzon me tenderat e plehrave. “Tenderi i inceneratorit të Fierit është hapur pa asnjë lloj kushti”, ka vijuar Berisha.

Më tej, ish-kryeministri ka kritikuar edhe disa investime të qeverisë aktuale, të cilat sipas tij dëmtojnë seriozisht mjedisin.

“Peleshi po mundohet t’i bëjë peshqesh zonës së Korçës një TEC ndotës. Ndërtimin e këtij TEC-i nuk e mori dot përsipër asnjë qeveri”, ka shtuar Berisha.

Ai ka kritikuar edhe menaxhimin e sistemit shëndetësor nga qeveria, i cili sipas tijështë më i kushtueshmi në Shqipëri.

“Edi Rama ka 3 vjet që rreh gjoksin për partneritetin publik-privat në shëndetësi. Nuk ka vend në botë që shërbimin publik të laboratorëve ta asgjësojë”, ka thënë Berisha.

Top Channel