Basha me banorët e Sukthit: Zgjidhja është një qeveri e njerëzve

21/11/2016 09:20

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi familjet e përmbytura në fshatin Rrushkull në Durrës. Familja e Aziz Totës, me 3 fëmijë të vegjël, është ndër më të goditurat, e cila jeton me pak tokë, ndërsa përmbytja i ka shkatërruar çdo mall që kishte. Kryefamiljari Tota i tha Bashës se nuk e ka vizituar asnjë zyrtar dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë nga qeveria apo pushteti lokal.

“Ne kemi ardhur këtu t’ ju shohim dhe t’ju themi që qendrojmë afër jush. I prekim dhe i ndjejmë hallet tuaja dhe hallet tuaja do të jenë shqetësimi kryesor i qeverisjes të së nesërmes. Këtu do të vijmë prapë për t’i rregulluar këto kanale, edhe për t’u gjendur prapë për të zëndëndësuar sado pak vlerat materiale të dëmtuara, por mbi të gjitha do të jetë një qeveri që do të jetë afër jush. Nuk do ju braktisë. Nuk do ju lerë vetëm. Prioritet do të jetë të investojmë në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Prioritet do të jetë të bëjmë këto rrugë, të ndërtojmë shkollat për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve tuaj. Këto do të jenë prioritet e qeverisjes që është afër jush. Kjo qeveri që është larg jush ju ka braktisur me mendje dhe ndaj nuk vjen as me trup këtu t’ju shohë sepse nuk ju llogarit më. Nuk mendon më për ju. Unë për këtë ju jap fjalën që qeveria ime, qeveria e ardhshme, në radhë të parë do t’ju ketë ju në qendër të vëmëndjes. Do të jetë qeveria juaj. Do të jetë qeveria e njerëzve”, tha Basha.

Sipas njoftimit të PD-së, Basha u takua edhe me fermerë të këtij fshati dhe të zonës së Sukthit, të cilët vuajnë mungesën e titujve të pronësisë, investimeve në infrastrukturë dhe mungesën e plotë të subvencioneve në bujqësi.

“Jemi të varfër dhe nuk i përballojmë çmimet. Bujqësia është jashtë përdorimit. Asnjë kanal nuk funksionon. Rrugët janë copë”, u shpreh një prej fermerëve.

“Ju jap fjalën se siç kam ardhur sot këtu dhe siç ju kërkoj që të vetëndërgjegjësohemi për nevojën për tu ngritur dhe për tu përballur, si kryetar i opozitës, nesër nuk do ju braktis”, tha Basha.

Top Channel