Vukovari, qyteti i tmerrit; Ushtria serbe 25 vite më parë masakroi kroatët

20/11/2016 00:00

Në vitin 1991, 25 vite më parë, forcat serbe u futën në qytetin e Vukovarit në Kroaci. Arsenali më i fuqishëm ishte përqendruar në këtë fushëbetejë buzë Danubit duke e kthyer në qytetin e tmerrit. Pas këtyre ngjarjeve lufta në Kroaci dhe në tërë ish-Jugosllavinë mori forcë. Kroatët kanë përkujtuar këtë dite. Serbia dhe Kroacia dy vitet e fundit kanë tensionuar marrëdhëniet.

Vukovari, kryeqendra e përgjakjes jugosllave. Kroatët humben dhe forcat serbe hyjnë në Vukovar. Mbi 3600 viktima në një qytet të vogël. Mbi 10 për qind e popullsisë. Qindra njerëz ngelën të vdekur ditët e para. Grupet më të fuqishme vullnetare dhe gati gjithçka u bë për të mbajtur dhe marrë Vukovarin.

Kroatët e shënojnë këtë si ngjarje të rënies së Vukovarit dhe nderim për viktimat e rëna. Mbi 100 mijë vetë u mblodhën në një marshim për të nderuar viktimat.

Radina Rozen, ka dale për të parë kolonën e nderimeve. Ka qenë në luftë dhe është kthyer vetëm katër vjet më vonë në shtëpi. Tani kroatët janë në Bashkimin Evropian, por zona nuk ka punë dhe njerëz.

“Këtu nuk ka punë dhe njerëzit po ikin. Kam ngelur e vetme dhe prej vitesh nuk po ndodhin shumë ndryshime në Vukovar. Ka qenë luftë e tmerrshme”, rrëfen Radina Rozen, qytetare e Vukovarit.

Kurora lulesh dhe unitet kërkuan liderët kroat pasi së fundi qeverisja nuk ka qenë stabile dhe zgjedhjet janë përsëritur disa herë. Ata thane se Vukovari është një vend i veçante i kujtesës.

“Është rasti t’i kujtojmë me nder të gjithë luftëtarët dhe ata që dhanë jetë për një Kroaci moderne dhe me këtë shembull këtu te jemi unik”, u shpreh kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

Gjurmët e luftës duken ende në këtë qytet dikur industrial që me Serbinë e ndanë vetëm lumi.

Kroatet dhe serbët të nxitur shpesh nga politikat e brendshme, nuk kanë një bashkëpunim të mirë. Tensionet politike janë ngritur pasi Kroacia ka fituar forcë pas futjes në Bashkimin Evropian.

Akuzat Beograd-Zagreb-Beograd janë gati linja të rregullta. 

Nënkryetari i bashkisë në Vukovar është politikani serb, Srdjan Millakoviç. Ai thotë se serbet këtu nuk marrin pjesë në përkujtimin e viktimave.

“Ne nuk marrim pjese ne ceremoni përderisa kjo vazhdon të jete një përkujtim selektiv dhe nuk ka vend për viktimat serbe. Këtu është më shume festë e fitores, se sa kujtim i viktimave”, u shpreh Srdjan Millakoviç.

Aktivistet nga Beogradi protestuan duke thënë se nuk do t’i harrojnë viktimat kroate.

Por, politika duket se nuk e ka aq te lehte.

Kolonat e gjata në Vukovar tregojnë se edhe pas 25 vitesh të fillimit të luftës me shpërbërjen e Jugosllavisë, ka ngelur shumë dhimbje dhe pak fjalë.

Top Channel