Zgjedhjet në Kolonjë, policia merr masat për garantimin e procesit

19/11/2016 00:00

Policia e Korçës bën me dije se ka marrë të gjitha masat dhe ka nisur zbatimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kryetar bashkie në Kolonjë.

Sipas një njoftimi për shtyp, agjentët kanë marrë nën ruajtje objektet zgjedhore që prej orës 18 të kësaj të shtune, kur kanë mbërritur dhe materialet elektorale.

Gjatë këtij procesi, që ka kërkuar rreth 1 orë për sistemimin e materialeve, janë angazhuar 65 punonjës policie dhe janë vendosur në dispozicion 11 mjete.

Në Bashkinë Kolonjë numërohen 36 qendra votimit, të cilat janë marrë nën mbikëqyrjen e policisë e po ashtu edhe 8 njësi administrative, saktësohet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë së Korçës është ngritur një grup i posaçëm për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit që do të vijë ditën e diel.

Autoritetet njoftojnë se situata në Kolonjë sa i takon rendit dhe sigurisë deri në orët e mbrëmjes ka qenë e qetë dhe pa probleme.

Top Channel