Zgjedhjet në Kolonjë, mbyllet fushata. Të dielën votimet

18/11/2016 00:00

Partia Agrare e mbylli fushatën në Kolonjë, ku kandidati i saj Dritan Hajro kërkoi votën për ndryshim, duke premtuar se do të jetë kryetari i të gjithëve, pa dallime partiake.

“Kërkoj mbështetjen tuaj më datë 20 nëntor për të qënë në krye të bashkisë dhe ku i gjithë stafi do të jetë një partner i juaji. Bashkia do të jetë institucioni që do t’i japë zgjidhje çështjeve dhe problemeve të së përditshmes”, deklaroi Hajro.

Partia Demokratike nuk u përfaqësua me drejtuesit e saj të lartë në tubimin elektoral, por deputeti Ridvan Bode kërkoi mbështetjen e kolonjarëve në emër të kryetarit Basha.

“Dhe ju ftoj ju dhe të gjithë votuesit e Bashkisë Kolonjë që ditën e dielë të mbështesin kandidaturën e zotit Dritan Hajro, e cila është kandidatura e partive opozitare”, tha Bode.

Agron Duka, që e ka këtë një sfidë personale për të testuar partinë që kryeson rishtazi, u përqendrua tek gjendja e prapambetur në Kolonjë, për të cilën bëri përgjegjëse edhe qeverinë Rama.

“Turpi më i madh është kur thuhet se ka 25 vjet që nuk është bërë asgjë nga qeveritë e ndryshme, ndërkohë që tre vjet e ka Rilindja qeverinë dhe këto tre vjet ata thonë se nuk është bërë asgjë, në fakt ata bëjnë një autogol”, tha Duka.

Por Edi Rama, i cili ishte vetë në Kolonjë për mbylljen e fushatës elektorale, i kërkoi votën çdo të mërzituri, duke shpjeguar se qeveria këto 3 vjet ka mbyllur borxhet e mëdha të së shkuarës dhe ka nisur të duken frytet e reformave.

“Ndryshimi që presim nuk mund të vijë nga qielli dhe nuk mund të vijë sa hap e mbyll sytë, sepse çfarë u rrënua në 20 e kusur vite nuk mund të ndërtohet në 3 vjet. Por më e keqja ka kaluar dhe më e mira është ende përpara nesh”, u shpreh Rama.

Sukesin e detyrës së ardhshme, kandidati Ilia Stefo e mati me atë të punës 30-vjeçare të mjekut. “Sfida ime është të vij tek ju e të kem të njëjtin respekt edhe si kryetar i bashkisë së kësaj zone të mrekullueshme”, tha Stefo.

Për kryeministrin Rama, e rëndësishme është pjesëmarrja masive në votimin e së dielës. “Që Kolonjës t’i kthehet shkëlqimi që ka pasur një herë e në një kohë dhe jo vetëm në këtë shesh, ku ndryshimi është i madh dhe i dukshëm, por në çdo fshat duhet të marrim pjesë në votim”, apeloi Rama.

Top Channel