Kryeministri i Japonisë: Kam besim të madh tek Trump

18/11/2016 08:10

Kryeministri japonez Shinzo Abe tha se ka besim të madh tek Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump dhe është i sigurt se ata mund të ndërtojnë një marrëdhënie besimi.

Abe e përshkroi takimin 90 minutësh në kullën Trump në Nju jork si të çiltër dhe me atmosferë të ngrohtë. Gjatë fushatës elektorale, retorika e Trump shpesh hodhi dyshime mbi aleancat e gjata të SHBA-së, përfshirë atë me Japoninë. Takimi me Shinzo Abe ishte i pari i Trump me një lider botëror që prej fitores në zgjedhjet presidenciale. SHBA dhe Japonia kanë qenë aleatë të ngushtë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur Uashingtoni ndihmoi Japoninë të rindërtonte ekonominë e saj.

Trump gjithashtu është zotuar të anulojë marrëveshjen tregtare të partneritetit transpaqësor që mbështetet fort nga Abe, i cili mendon se është një mënyrë për të përballuar rritjen e fuqisë ekonomike kineze. Trump ka thënë se Japonia duhet të paguajë më shumë për të mbajtur ushtarët amerikanë në territorin e saj, ndërsa ka hedhur edhe idenë se Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të zhvillojnë armë bërthamore që të përballen me kërcënimin nga Koreja e Veriut. Takimi mes Abe dhe Trump u organizua kur kryeministri japonez i telefonoi presidentit të zgjedhur për ta uruar për fitoren.

“Mendoj se pa besim mes dy kombeve aleanca nuk do të funksionojë në të ardhmen, dhe pas diskutimit të sotëm, jam i bindur se Trump është një lider tek i cili mund të kem shumë besim”, deklaroi Abe. Kryeministri japonez nuk dha shumë detaje për takimin, por tha se ra dakord me Trump për më shumë bisedime për çështje të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA