Shembet rruga në Vlorë, gropa rrezikon edhe banesat

17/11/2016 00:00

Një gropë e madhe është hapur në lagjen “Kuzum Baba” në Vlorë, si pasojë e shirave dhe rrëshqitjes së dheut.

Gropa ka bllokuar një rrugë këmbësorësh, e cila kryesisht përdoret nga banorët e Vlorës për të shkuar në teqenë e zonës.

Rruga është e pakalueshme dhe përbën rrezik për shembje të mëtejshme, duke rrezikuar kalimtarët. Të frikësuar për shtëpitë e tyre janë edhe banorët në zonë ku është krijuar kjo gropë.

Bashkia e Vlorës ka hasur vështirësi për mbushjen e gropës me inerte, pasi mungojnë rrugët  automobilistike për dërgimin e kamionëve me materiale.

Sipas banorëve, toka është çarë mbi  tunelet nëntokësore, të cilat janë hapur para viteve ‘90 në këtë zonë.

Top Channel