Fshati që po rilind nga HEC-i; Moglicë, qeratë e shtëpive shkojnë 20 mijë lekë

17/11/2016 00:00

Ndërtimi i HEC-it të Moglicës duket se po gjallëron zona të thella dhe të izoluara të cilat po shkonin drejt braktisjes. Në Moglicë dhe fshatrat rrotull është investuar në infrastrukturë, ndërkohë që një pjesë e mirë e banorëve janë punësuar në kantier.

Edhe ata banorë të cilët nuk kanë mundur të kthehen kanë rikonstruktuar shtëpitë e tyre për t’i dhënë me qira. Vlen të theksohet se një banesë me qira në Moglicë kushton 20 mijë lekë të reja.

“Zona është rigjallëruar sepse janë kthyer njerëzit kanë lëshuar shtëpitë me qira”, tregon një banor. “Rruga është rregulluar, ka të punësuar por edhe të papunë. Ka lëvizje, por dhe çmimet janë ngritur pak”, thotë një tjetër.

Në HEC-in e Moglicës janë kryer 40 për qind të punimeve. Në vitin 2018 do të nisë krijimi i rezervuarit, ndërsa në vitin 2019 pritet që këtu të nisë prodhimi i energjisë.

“Diga e Moglicës do të jetë një nga më të lartat në botë në llojin e saj dhe padyshim më e larta në Europë. Në fakt ka pasur diskutime të brendshme se nga ku nis matja e lartësisë së digës. Por lartësia përfundimtare e saktë do të mësohet pasi të ketë përfunduar gërmimi tërësor i themelit të digës”, deklaron William Burstrom, drejtor i projektit.

Në hidrocentralin e Moglicës janë të punësuar 1.100 punëtorë, kryesisht nga komuniteti i zonës përreth. Kjo do të jetë një nga veprat më të mëdha energjitike ne vend, me një kapacitet prodhues energjie prej 174 MW.

Top Channel