Përveç anës politike dhe mesazheve në drejtime të ndryshme, shumë politikanë apo media opozitare e kanë parë me një këndvështrim tjetër vizitën dyditore të Barack Obamës në Athinë, duke kritikuar apo satirizuar protagonistët kryesorë të saj.

Shenja e parë negative, sipas tyre, ishte fakti që avioni presidencial nuk qëndroi në vendin e duhur, por disa metra më tej dhe si rezultat u detyruan punonjësit e aeroportit të shtronin tapetin e kuq të pritjes jo në një vijë të drejtë, siç e parashikon protokolli.

“Viktimë” e mediave sociale u bë ministri grek i Mbrojtjes, i cili nuk u duk në asnjë prej çasteve kur i uronte mirëseardhjen presidentit amerikan, pasi ishte mbuluar krejtësisht nga flamuri i Shkollës së Kadetëve.

Mediave greke nuk u shpëtoi fakti, që Barack Obama zbriti nga shkallët e “Air Force One” me unazën e dhuruar nga Michelle në dorën e majtë, por vetëm dy orë më vonë, në takimin me Tsiprasin u duk se unaza mungonte.

“Mesazh për Michelle”, “Përgatitje për jetë nate në Athinë”, apo “Thjesht pakujdesi dhe harresë në banjën e hotelit”, ishin disa nga titujt karakteristikë të mediave rozë.

Në epiqendër të kritikave ka qenë edhe kryeministri grek. Në fillim nga politikanë kundërshtarë dhe më pas nga disa media, për mënyrën e tij të veshjes, ende pa kravatë, për qëndrimin e tij të shkujdesur në takimin me Obamën, por edhe për theksin e tij kur përdorte fjalë anglisht.

Komente të larmishme te portalet greke për një prej truprojave të Obamës që “dogji” – siç thuhet, – në mënyrë karakteristike zemrat e grekëve, por edhe në mediet amerikane për fotografinë e Obamës me ushtarin grek të Gardës Presidenciale, të veshur me rrobat karakteristike.

Nga darka e shtruar për nder të presidentit të katërt të Shteteve të Bashkuara që vizitoi Greqinë, veçohet fotografia e dy ministrave të Financave, Euclid Tsakalotos dhe Jack Lew, ku duken sikur po mbajnë të gjitha hallet e botës ndërsa të tjerët gëzojnë.

Dhe, në kontrast me theksin e Tsiprasit në anglisht, përgëzohet presidenti amerikan Obama për ato pak fjalë që tha në greqisht: Stin Ygeia Sas (Shëndet!).

Top Channel