Presidenca ankohet për buxhetin

15/11/2016 00:00

Presidenca e prezantoi veten në Komisionin e Ligjeve në vështirësi financiare. Dhe për një aktivitet normal i duhet një shtesë prej 20 milionë lekësh për vitin e ardhshëm. I cili është edhe viti i betimit të Presidentit të ri.

“Në një vlerësim që ne kemi bërë, duke qenë se viti 2017 parashikon edhe ceremoninë e lënies dhe marrjes së detyrës, është edhe një fond rreth 10 milionë lekë”, tha Florian Nurja, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës.

Për këtë fond, Ministria e Financave e siguroi se do të mbulohet nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër do të vendoset më vonë nga Komisioni i Ekonomisë. Një qëndrim që demokratëve dhe LSI-së iu duk i padrejtë.

“Janë shifra shumë minimale për funksionimin e një institucioni dhe sinqerisht që më vjen keq që ka ardhur ky problem këtu”, tha Vasili.

Ndërsa demokrati Halimi u shpreh: “Keni shpenzuar 25 milionë euro vetëm për mobilje e zyra. Kur vjen puna për këtë, refuzoni”.

Bujar Nshani kishte porositur pëfaqësuesin e tij të mbajë edhe një qëndrim tjetër të pazakontë. “Nëse kjo situatë vijon të mbetet e tillë, do ta trajtojmë në Gjykatë Kushtetuese”.

“Nuk është se do të bëni mëkat po të shkoni në Gjykatë Kushtetuese. Keni shkuar edhe më parë. Por, kur ta bëni ankimin, na njoftoni”, tha Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve.

Top Channel