Një organizëm amerikan i sigurisë bëri një kërkesë mjaft të veçantë: makinat elektrike që udhëtojnë me shpejtësi të ulët duhet të bëjnë zhurmë në mënyrë që të paralajmërojnë këmbësorët për praninë e tyre.

Administrata kombëtare e sigurisë së trafikut në autostrada tha se ky rregull është i nevojshëm, pasi makinat elektrike janë shumë të qeta. Sipas këtij organizmi, ky rregull ndihmon në veçanti këmbësorët e verbër, apo ata me probleme shikimi që të diktojnë makinat elektrike apo hibride.

Vlerësohet se kjo masë do të ndihmojë në shmangien e 2400 lëndimeve në vit. Rregulli i ri kërkon që makinat elektrike të bëjnë zhurmë kur udhëtojnë normalisht, apo mbrapsht, në shpejtësi më të ulët se 30km/h. Specifikat e kërkuara parashikojnë që të përdoret një sinjal akustik si ai që përdoret aktualisht nga makinat e tonazhit të lartë kur ecin mbrapsht.

Sipas rregullatorëve amerikanë, në shpejtësi më të larta, zhurma e erës dhe e gomave janë të mjaftueshme për të paralajmëruar këmbësorët. Prodhuesit e makinave elektrike dhe hibride kanë kohë deri më 1 shtator 2019 për të bërë këto ndryshime tek modelet e reja.

Në Europë, prodhuesit e makinave kanë kohë deri më 1 korrik 2019 për të pajisur të gjitha modelet e reja hibride apo elektrike me sistemin e detyrueshëm të paralajmërimit akustik, ndërsa modelet ekzistuese do ët kenë edhe 2 vjet më shumë kohë për ta bërë këtë.

Top Channel